UNDP Publikon Raportin Global të Zhvillimit Njerëzor 2015
Prishtinë, 14 dhjetor Progresi i shpejtë teknologjik, thellimi i globalizimit, shoqëritë gjithnjë e më të moshuara dhe sfidat mjedisore janë shpejtë duke e transformuar atë se çfarë do të thotë puna sot dhe si kryhet ajo.
Kjo botë e re e punës paraqet mundësi të mëdha për disa, por gjithashtu sfida madhore për të tjerë. Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2015, i lansuar sot (14 dhjetor) në Adis Abeba në Etiopi, nxitë qeveritë që të veprojnë tani për të siguruar që askush nuk mbetet prapa në botën e punës që po ndryshon shpejt.
Raporti me titull Punë për zhvillimin njerëzor, thërret për punë të drejtë dhe të mirë për të gjithë. Duke vepruar kështu, ai inkurajon qeveritë që të shikojnë përtej vendeve të punës që të konsiderojnë shumë lloje të punës si përkujdesjen pa pagesë, punën vullnetare apo kreative që janë të rëndësishme për zhvillimin njerëzor. Raporti sugjeron që vetëm duke pasur një pikëvështrim të gjerë të tillë mund të shfrytëzohen beneficionet për zhvillim të qëndrueshëm.
Me rezultate më të mira në shëndetësi dhe arsim dhe me zvogëlim të varfërisë së skajshme, 2 miliard njerëz janë larguar nga nivelet e ulëta të zhvillimit njerëzor në 25 vitet e fundit, thuhet në raport. Sidoqoftë, për të siguruar këto të mira dhe për të galvanizuar progresin, nevojitet një përqendrim më i fuqishëm në punën e mirë.
830 milion njerëz janë klasifikuar në grupin e punëtorëve me të ardhura të ulëta që jetojnë me më pak se 2.00 dollarë në ditë. Mbi 200 milion njerëz, duke përfshirë 74 milion të rinj, janë të papunë, ndërkaq 21 milion njerëz janë aktualisht në punë të detyruar.
Gratë punojnë tri nga çdo katër orë punë pa pagesë
Raporti paraqet një vlerësim të ri të detajuar lidhur me ndarjen e të gjithë punës, jo vetëm punën me pagesë, ndërmjet burrave dhe grave. Derisa gratë kryejnë 52 për qind të të gjithë punës globale, mbeten pabarazi të dukshme në shpërndarjen e orarit te punës.
Gratë kanë më pak gjasa të paguhen për punën e tyre sesa burrat, ku tri nga çdo katër orë pune pa pagesë kryhen nga gratë. Në anën tjetër, për burrat llogariten dy nga çdo tri orë punë me pagesë. Meqenëse gratë shpesh bartin barrën e të ofruarit të shërbimeve të kujdesit për anëtarët e familjes, në raport paralajmërohet që pabarazia ka gjasa të rritet me plakjen e popullatës.
Kur gratë paguhen, ato fitojnë në nivel global, mesatarisht, 24 për qind më pak sesa burrat dhe nxënë më pak se një çerek të pozitave të larta në biznes në mbarë botën.
Globalizmi dhe revolucioni digjital janë thikë me dy tehe
Punëtorët me nivel të lartë të shkathtësive dhe ata me qasje në teknologji, duke përfshirë internetin, kanë mundësi të reja në llojet e punës që janë në dispozicion dhe mënyrën se si kryhet ajo punë. Sot, ekzistojnë shtatë miliard abonime për telefona celularë, 2.3 miliard njerëz me telefona të mençur dhe 3.2 miliard njerëz me qasje në internet. Kjo ka sjellë shumë ndryshime në botën e punës për shembull, rritja e tregtimit elektronik dhe nënkontraktimi masiv i veprimeve bankare, përkrahjes për TIK-un dhe shërbime të tjera.
Sidoqoftë, me gjithë mundësitë e reja, më shumë vende pune janë duke u bërë të cenueshme dhe ndarja e gjerë digjitale vazhdon të mbetet, vihet në pah në raport.
Në vitin 2015, 81 për qind e familjeve në vendet e zhvilluara kanë gëzuar qasje në internet, por vetëm 34 për qind në vendet në zhvillim dhe 7 për qind në vendet më së paku të zhvilluara e kanë këtë qasje.
Shumë lloje të punëve rutinë, si vendet e punës në zyra, parashihet se do të zhduken apo do të zëvendësohen me kompjuterë, apo tashmë vetëm se janë zhdukur, thuhet në raport, ndërkaq edhe shumë punëtorë të tjerë ballafaqohen me pasiguri tjera. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 61 për qind e njerëzve të punësuar në botë punojnë pa kontratë dhe vetëm 27 për qind e popullatës botërore është e mbuluar me mbrojtje sociale gjithëpërfshirëse.
Raporti thërret qeveritë që të formulojnë strategji kombëtare të punësimit që marrin në konsideratë sfidat e shumta që paraqiten në botën e punës që po ndryshon shpejt.
Puna e qëndrueshme, mundësitë për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme
Në raport shprehen rolet kyçe që puna mund ti luajë në arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Llojet e punës që shumë nga ne i bëjmë do të duhet të ndryshojnë nëse ekonomitë dhe shoqëritë tona bëjnë progres të vërtetë drejt të ardhmes me emitime të ulëta dhe me rimëkëmbshmëri klimatike. Këto ndryshime do të ndikojnë në atë se si do të duket tregu i punës së të nesërmes, thuhet në raport.
Raporti argumenton që mundësitë për punë mund të nxiten nga objektivat globale. Për shembull, aty vlerësohet se rreth 45 milion punëtorë shëndetësorë shtesë do të jenë të nevojshëm për të përmbushur objektivat shëndetësore të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm. Kjo do të bëjë që fuqia punëtorë shëndetësore globale të rritet nga 34 milion në vitin 2012 në 79 milion deri në vitin 2030.
Përcaktimi i agjendës së re të punës
Derisa reagimi me politika ndaj botës së re të punës do të dallojë nëpër shtete, tri grupime kryesore të politikave do të jenë thelbësore nëse qeveritë dhe shoqëritë do të rrisin në maksimum përfitimet dhe të zvogëlojnë në minimum varfërinë në botën e re të punës që është ende në zhvillim. Nevojiten strategji për krijimin e mundësive për punë dhe për sigurimin e mirëqenies së punëtorëve. Prandaj, në raport propozohet agjendë tri degëshe e veprimit:
Kontrata e Re Sociale ndërmjet qeverive, shoqërisë dhe sektorit privat, për të siguruar që në formulimin e politikave merren në konsideratë nevojat e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, e posaçërisht të atyre që punojnë jashtë sektorit formal.
Marrëveshja Globale ndërmjet qeverive për të garantuar të drejtat dhe beneficionet e punëtorëve në mbarë botën.
Agjenda për Punë të Mirë, që përfshin të gjithë punëtorët, që do të ndihmojë në promovimin e lirisë për asociacion, drejtësi, siguri dhe dinjitet njerëzor në jetën në punë.