UNDP nis fushatën për njerëzit me aftësi të kufizuar
Prishtinë, 27 qershor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim të ngushtë me HandiKOS-in dhe organizata të tjera kosovare për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar organizojnë ngjarje vetëdijësuese mbi Njerëzit & Aftësitë e Kufizuara në Kosovë: Integrimi i Diversitetit në Vend të Punës, sot, me fillim në ora 15:00, në hotel Sirius.
Në bazë të Studimit të përgjithshëm mbi personat me aftësi të kufizuar në Kosovë (2011) nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në Kosovë jetojnë rreth 150,000 persona me aftësi të kufizuar që vuajnë nga diskriminimi në jetën e tyre të përditshme, ku njëra nga fushat me përjashtim më të madh është punësimi.
Për të ngritur vetëdijen mbi këtë çështje shumë të rëndësishme, programi i UNDP-së për Punësim të të Rinjëve (ALMP) do të bashkojë personat me aftësi të kufizuar, punëdhënësit, organizatat për persona me aftësi të kufizuar, zyrtarë dhe donatorë në një ambient joformal në mënyrë që të hapet një diskurs në krijimin e një fuqie punëtore më diverse në Kosovë.
Ngjarja do të përfshijë emitimin e një dokumentari, ekspozitë me fotografi dhe diskutim të hapur mbi rëndësinë e përfshirjes në fuqinë punëtore, përfshirjen sociale dhe vetëdijësimin kundër diskriminimit.
Në ngjarje, mes të tjerësh do të marrin pjesë edhe zyrtarë të qeverisë, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Osnat Lubrani dhe Sophie Beaumont nga Zyra e Bashkësisë Evropiane në Kosovë.