UNDP lanson raportin mbi drejtësinë tranzicionale në Kosovë
Prishtinë, 19 shkurt - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes projektit Avancimi i Drejtësisë Gjinore, lansoi raportin e titulluar "Perceptimet mbi Drejtësinë Tranzicionale në Kosovë - Raporti 2012".
Raporti ofron statistika dhe analiza të perceptimeve publike mbi një sërë çështjesh që lidhen me drejtësinë tranzicionale marrë nga anketa me 1250 kosovarë të të gjitha etnive.
Raporti analizon opinionin publik dhe njohuritë rreth kënaqshmërisë me institucionet si Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY), me gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë që punojnë në Kosovë, gjykatat në Serbi që janë të përfshira në gjykimet e krimeve të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-1999, me gjyqtarët dhe prokurorët vendas, perceptimet mbi krimet e luftës, përgjegjshmërinë, abuzimin e të drejtave të njeriut para, gjatë dhe pas konfliktit, çështjen e personave të pagjetur, perceptimet për pajtimin mes njerëzve dhe komuniteteve etnike në Kosovë, reformat në institucionet e drejtësisë dhe policisë, dhe iniciativat për dëmshpërblim.
Ky raport pason anketën e UNDP-së të mbi drejtësinë tranzicionale të vitit 2007 e cila zbuloi se një numër i madh i qytetarëve besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur gjatë konfliktit të vitit 1999.
Anketa e vitit 2007 gjithashtu vuri në dukje një dëshirë të zjarrtë për të parë të zgjidhur fatin e personave të zhdukur, pavarësisht nga përkatësia etnike e viktimave, si dhe një konsensus se pajtimi në mes të komuniteteve etnike është i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë kosovare.
Së fundi, përfundimet e raportit nxirren nga diskutimet mbi rezultatet e anketës në fokus grupe ku janë përfshirë ekspertë, përfaqësues të gjyqësorit, organizata ndërkombëtare të monitorimit dhe OJQ vendase që punojnë në fushën e drejtësisë tranzicionale.
Qëllimi i këtij raporti është që të shërbejë si një mjet për të ndihmuar politikëbërësit dhe palët e interesuara në zhvillimin e politikave të duhura që synojnë përmirësimin e trashëgimisë së abuzimeve në shkallë të lartë që lidhen me konflikt, sigurimin e llogaridhënies, shërbimin e drejtësisë dhe krijimin e një bazë mbi të cilën mund të ndodhë pajtimi.