UNDP dhe KNJ hapin Zyren për Ndihmë Juridike në Graçanicë
Prishtinë, 17 mars - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komisioni për Ndihmë Juridike (KNJ) do të hapin zyrtarisht zyren për ndihmë juridike në Graçanicë, të enjten, më 18 mars në prezencë të Zëvendës Kryeminsitrit, Hajredin Kuqi.
Zyra për Ndihmë Juridike në Graçanicë do të ofrojë këshilla dhe ndihmë juridike falas popullatës që nuk kanë mjete të kenë qasje në drejtësi. Pasi që në këtë komunë të re shumica e popullatës janë pjesë e pakicave, parashihet se hapja e kësaj zyre do të avansojë si synimet e decentralizimit ashtu edhe të fuqizojë temelet e një shoqërie multi-etnike.
Në ngjarje do të marrin pjesë edhe Drejtori i UNDP-së, Parviz Fartash, Komisioneri i Ndihmës Juridike, Sokol Haziri dhe Kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanović.
Qëllimi i projektit të UNDP-së Qasja në Drejtësi është përkrahja zhvillimit të kapaciteve institucionale dhe të komuniteteve për të përmirësuar qasjen në drejtësi në Kosovë. Duke inkurajuar përdorimin e shërbimeve të ofruara nga zyret e ndihmës juridike si kjo në Graçanicë, shpresohet se komuniteti, përfshirë këtu edhe grupet më të cenuara, fuqizohen nga ana juridike.