02 Maj 2024

Ulqini mirëpret nismën për binjakëzim me Mitrovicën

Mitrovicë, 23 shkurt - Nisma e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, për binjakëzim me Komunën e Ulqinit, është mirëpritur nga drejtuesit e kësaj komune shqiptare në Mal të Zi.

Kjo  është shtruar gjatë një vizite të një delegacioni nga Komuna e Mitrovicës në Ulqin, ku pos kryetarit Kastrati, ishin edhe nënkryetari Riza Haziri, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala.

Në takim me kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu, delegacioni mitrovicas ka potencuar nevojën për integrime brendshqiptare. Kryetari Kastrati, tha se duhet të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim ndërmjet komunave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

“Bashkëpunimi është shumë i nevojshëm, meqë lidhjet ndërmjet qytetarëve të komunave tona janë të mëdha”.

Si hap konkret për të nisur një bashkëpunim institucional, kryetari Kastrati, shtroi idenë për binjakëzim të Mitrovicës dhe Ulqinit. Ai tha se tradicionalisht mitrovicasit pushimet verore i kanë kaluar në Ulqin, andaj edhe është krijuar një lidhje shpirtërore mes qytetarëve të dy komunave.

Ai gjithashtu ka shprehur një falënderim të veçantë  për qytetarët e Ulqinit dhe strukturat komunale për pritjen që kishin organizuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, për qytetarët mitrovicas të dëbuar me dhunë nga regjimi serb.

“Ka qenë një pritje vëllazërore në një kohë tepër të rëndë për shqiptarët e Kosovës që nuk do të harrohet kurrë”.

Në anën tjetër, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, ka shprehur kënaqësinë e madhe për vizitën e delegacionit mitrovicas.

Gjithashtu ai ka mbështetur nismën e kryetarit Kastrati për binjakëzim të dy qyteteve, duke e cilësuar si një hap institucional sa i përket bashkëpunimit.

“Do t’i ndjekim procedurat ligjore dhe besojmë se gjithçka do të shkoj mirë sa i përket binjakëzimit”.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi mund të jetë shumë i frytshëm në sferën e kulturës, mandej sportit, por edhe të biznesit.

Ai tha se ka shumë qytetarë të Mitrovicës, të cilët gjatë sezonit turistik marrin me qira lokale në Ulqin, për të ushtruar veprimtari hoteliere.

Kryetari i Ulqinit ka folur edhe për  projektet që janë duke u zhvilluar në Ulqin sa i përket përmirësimit të infrastrukturës.

Ai ka përmendur si një projekt tepër të rëndësishëm sigurimin e një fondi për mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit. Tha se sivjet Ulqini do të jetë shumë i pastër për pushuesit.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, delegacioni nga Mitrovica ka vizituar edhe disa nga monumentet dhe objekte historike dhe kulturore të këtij qytetit të bukur shqiptar. 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)