Ulëset e rezervuara rrezik për legjitimitetin e Kuvendit
Prishtinë, 25 mars - Përfaqësues të opozitës janë ankuar se shpesh nismat e tyre në Kuvendin e Kosovës janë mbivotuar si rezultat i bashkimit të votave të mazhorancës me votat e deputetëve pakicë, të cilët kanë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Por Kuvendit të Kosovës mund ti shtohen edhe 10 ulëse shtesë; pesë për serbët e veriut do të siguroheshin pas arritjes së kompromisit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kurse pesë të tjera për diasporën. Për ulëset e veçanta për diasporën ekziston edhe një iniciativë e hershme e Ministrisë së Diasporës, që daton prej vitit 2011, shkruan Koha Ditore.
Por për përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, ideja e shtimit të vendeve të garantuara apo të rezervuara në Kuvendin e Kosovës bie ndesh me përfaqësimin e qytetarëve bazuar në rezultatet që dalin nga vota e lirë dhe e barabartë e tyre.
Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar rreth 20 vende të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, kurse Ligji për zgjedhjet e përgjithshme po ashtu ka përcaktuar që 30% e strukturës së Kuvendit duhet të jetë me deputete femra.
Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte bërë ndryshimet e 22 ligjeve kushtetuese që lidhen me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, para datës 10 shtator 2012. Por ndryshimet lidhur me mandatin e presidentit të vendit, mandatet e rezervuara për pakicat janë lënë për më vonë.
Por Komisioni nuk ka paraparë ulëse për diasporën, derisa për komunitetet pakicë nuk do të ketë më vende të rezervuara, por vende të garantuara.
Kështu serbët dhe komunitetet e tjera do të kenë 20 vende të garantuara, të cilat një pjesë do të rrjedhin nga vota e lirë, kurse ulëset të cilat nuk plotësohen përmes votës do tu ruhen. Kjo dallon nga sistemi aktual ku pos ulëseve të fituara me anë të votës, serbët dhe komunitetet e tjera pakicë rezervonin 20 ulëse shtesë.
Pakoja e Ahtisaarit parasheh ruajtjen e vendeve të rezervuara për pakicat për dy mandate, por jo më tej. Mbi këtë bazë i bie që komunitetet pakicë do të humbin vendet e rezervuara duke filluar nga përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, e cila do të rrjedhë nga zgjedhjet e parapara për vitin e ardhshëm. /