U shënua 14-vjetori i daljes publike të UÇK-së në Shalë
Mitrovicë, 18 prill - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, ka organizuar të mërkurën në Zabërgj të Shalës së Bajgorës, një manifestim rasti për shënimin e 14-vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në këtë pjesë të vendit.
Pjesëmarrësit vlerësuan lart sakrificën e popullatës së kësaj ane, të cilët përkrahen dhe ndihmuan pa kursim ushtarët e lirisë.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, tha se shënimi i 14-vjetorit të paraqitjes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë pjesë të atdheut na bën të ndjehemi me fat meqë kjo po bëhet në Kosovën e pavarur.
Përkulemi me respekt para dëshmorëve të kësaj ane, para trimave që sot janë në mesin tonë dhe para gjithë popullit të Shalës, në këtë datë historike, në Kosovën e njohur ndërkombëtarisht si shtet sovran, të tillë çfarë e kishin projektuar dhe për të cilën kishin luftuar ushtarët e UÇK-së.
Ai tha se në raste të tilla, ndjehet më së miri vlera e të qenit i lirë. Duke krahasuar këtë ditë me kohën e para 14-vitesh, e kuptojmë idealin e vërtetë të atyre që nuk hezituan të vdesin për Kosovën.
Ndërsa, Nexhat Dedia, njëri nga shtatë ushtarët e parë që doli publikisht para 14-vitesh në Zabërgj, tha se ka qenë një moment ai veçantë që e bën të ndjehet krenar.
Derisa ishim në rajonin e Drenicës, pikërisht në Prellovc nën komandën e Jakup Nurës, me urdhër të gjeneralit Rrahman Rama, kaluam në rajonin e Shalës, saktësisht në Zabërgj në shtëpinë e Niman Fejzës. Pasi ia shpjeguam arsyet ai na u bashkëngjit si ushtari i parë me një pushkë M48 dhe me 13 fishekë.
Ai tha se fjalët janë të pafuqishme për të shprehur emocionet e asaj kohe, kur vetëm shtatë veta kanë nisur një mision të madh, ndërsa pas një kohe shumë të shkurtër arritën që të krijojnë një brigadë.
Në këtë manifestim u zbulua edhe obelisku i punuar nga Sabri Behrami e Ylber Krasniqi, që përkujton 18 prillin e vitit 1998. Gjithashtu u përurua edhe emri i ri i shkollës së fshatit, e cila tash e tutje mban emrin e dëshmorit, Avni Shabani.
Për të pranishmit u dha edhe një program artistik nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës.