U përkujtua rënia heroike e Heroit Sali Çekaj
Prishtinë, 19 prill - Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të rënies heroike të Heroit Sali Çekaj, në kuadër të Manifestimit Tradicional Ditët e Shqipes.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve foli për figurën e Heroit Sali Çekaj dhe luftën e lavdishme të Koshares, duke theksuar se shembulli i Heroit Sali Çekaj, është i gjallë dhe i përjetshëm në mesin tonë.
Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë, të ndërtuar mbi sakrificën për liri. Kudo që ishte, përgjatë gjithë jetës, përpjekjeve për liri dhe shtetformim, Sali Çekaj i fali çdo ditë të jetës së tij. Në Betejën e Koshares, Çekaj i dha Kosovës edhe jetën e tij, tha ministri Abrashi.
Ministri Abrashi, tha po ashtu se Sali Çekaj ishte vënë edhe në ballë të luftës politike të vendit, duke kundërshtuar ndryshimet Kushtetuese në Kosovë.
Ishte momenti i kthesës së madhe të përfaqësuar nga Vizioni Rugovian, të cilin e mbështeti Heroi Çekaj. Në ndjekje të vizionit të tij të shtetformimit, të mishëruar më 2 Korrik 1990, me Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, Sali Çekaj zbatoi këtë vizion, duke qenë hartues i Statutit të ri Komunës, në harmoni me Kushtetutën e Kaçanikut dhe Deklaratën e Pavarësisë. Sali Çekaj ishte njëkohësisht lider dhe pasues, tha ministri Abrashi.
Historiani Frashër Demaj foli për biografinë e Sali Çekaj, duke thënë se Saliu, i thyer në shpirt, por i pamposhtur, luftoi deri në momentet e fundit, kur më 19 prill 1999, tek vendi i quajtur Rrasa e Koshares, gjeti pavdekësinë.
Saliu u vra duke dhënë shembullin se si jetohet, punohet, dhe flijohet për atdheun. Ai u shndërrua në ikonë të luftës për liri, tha Demaj.
Komandanti i Brigadës 138 Agim Ramadani, Rrustem Berisha, fjalimin e tij para të pranishmëve e ka nisur me një thënie të Heroit Sali Çekaj.
Ne jemi komb i vogël, prandaj duhet të bashkohemi. Ne nuk kemi mundësi as nuk guxojmë të lejojmë të ndahemi.
Komandant Berisha, tha po ashtu se Sali Çekaj më së miri e dëshmoi se si duhet të luftohet me laps përderisa ka edhe një hapësirë të vogël.
E kur kjo hapësirë të shuhet, ai dëshmoi se si burri duhet ti dal zot edhe pushkës, deri në frymën e fundit, tha Berisha.
Në emër të familjes, djali i Dëshmorit, Hysen Çekaj, falënderoi të pranishmit për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë familjes, në përballimin e dhimbjes në secilin përvjetor.
Ditë e dhimbshme, por e mbushur me krenari për më të dashurin tonë, i cili me angazhimin e tij shumëvjeçar, kontribuoi krahas dëshmorëve dhe veteranëve tjerë, në realizimin e një ëndrre shekullore të shqiptarëve, një Kosovë e lirë, shtet i pavarur, tha Hysen Çekaj.
Fjala e plotë e ministrit Abrashi, në Akademi.
E nderuara familje Çekaj,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve të UÇK-së,
Familje Rugova,
Të nderuar veteranë të UÇK-së, veteranë të Brigadës 138,
President Sejdiu,
Deputetë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të spektrit civil e politik,
Të nderuar të pranishëm.
Sot jemi këtu, për nder të Ditëve të Shqipes. Manifestimi i këtyre ditëve dhe kjo Akademi, na e sjellë të freskët kujtimin për betejën e lavdishme, Betejën e Koshares.
Betejave u prijnë heronjtë, në mesin e tyre, ne sot me përulje kujtojmë, Heroin Sali Çekaj.
Heronjtë si Sali Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi i japin shkëlqim, jehonë dhe madhështi, lirisë që gëzojmë sot.
Vitet kalojnë, por shembulli i Sali Çekaj, është i gjallë dhe i përjetshëm në mesin tonë. Sikur në Betejën e Koshares - si sot para 17 vitesh - ashtu edhe tani në liri, ky shembull na thërret ta duam vendin, ti duam njerëzit tanë, të jemi të qëndrueshëm dhe të sakrifikojmë me vendosmëri.
Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jetë të plotë, të ndërtuar mbi sakrificën për liri. Kudo që ishte, përgjatë gjithë jetës, përpjekjeve për liri dhe shtetformim, Sali Çekaj i fali çdo ditë të jetës së tij. Në Betejën e Koshares, Çekaj i dha Kosovës edhe jetën e tij.
Në kthesat vendimtare për bashkëqytetarët e tij, përmes angazhimit të tij intelektual, politik e ushtarak, Sali Çekaj për asnjë moment nuk iu nda refuzimit të shtypjes, sikurse nuk iu nda përpjekjeve për liri.
Shembulli dhe jeta e tij, është gërshetim i intelektualit të guximshëm me ide, vizion e angazhim për të ardhmen e vendit, dhe i patriotit që mban gjallë dhe lartë të kaluarën e kombit të tij.
Ishte në ballë të luftës politike të vendit, duke qenë kundër ndryshimeve Kushtetuese në Kosovë, si dhe refuzimit aktiv të vazhdimit të përfaqësimit të delegjitmuar politik, nën ish Jugosllavi. Ishte momenti i kthesës së madhe të përfaqësuar nga Vizioni Rugovian, të cilin e mbështeti Heroi Çekaj.
Në ndjekje të vizionit të tij të shtetformimit, të mishëruar më 2 Korrik 1990, me Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, Sali Çekaj zbatoi këtë vizion, duke qenë hartues i Statutit të ri Komunës, në harmoni me Kushtetutën e Kaçanikut dhe Deklaratën e Pavarësisë. Sali Çekaj ishte njëkohësisht, lider dhe pasues.
Angazhimi i fuqishëm për liri dhe shtetformim i Sali Çekajt, e bëri atë cak të ndjekjes, përderisa në rrethana të tilla, me qëllim të shmangies së arrestimit, Çekaj lëshon përkohësisht Kosovën, për të vazhduar aktivitetin e tij në Gjermani.
Shembulli i heronjve është shembull i njerëzve që forca e shtypjes nuk mund ti ndalë dhe as tjetërsoj, askund dhe asnjëherë.
Në vitin 1991/92, Sali Çekaj vendoset në Shqipëri, si bashkë-organizator dhe bashkë-pjesëmarrës i grupeve të para ushtarake, që u trajnuan në Shqipëri. Në mesin e tyre, bashkë me Saliun ne sot kujtojmë Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ilaz Kodrën, Ahmet Hoxhën.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ndërtua mbi idetë dhe guximin e këtyre heronjve, përderisa Çekaj asokohe kishte kthyer shtëpinë e tij në Broliç të Deçanit, në depo armësh çlirimtare.
Nuk ka pas dhe nuk ka fuqi mbi faqe të dheut, e veçmas në Kosovë, që do ti rezistonte vizionit, idealeve dhe sakrificës së heronjve të një kombi liridashës e të drejtë.
Të nderuar të pranishëm,
Për veprën e Heroit Sali Çekaj, fjalët nuk mjaftojnë, por më lejoni që në pak fjalë të sjellim momente të lavdishme të veprës së Heroit Çekaj:
Deri në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Heroi Çekaj do të vazhdonte kombinimin e aktiviteteve politike me ato të rezistencës;
Në fillim të luftës, Sali Çekaj u rreshtua në Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, fillimisht në Tiranë dhe pastaj në veri të Shqipërisë, ku bëheshin parapërgatitjet ushtarake;
Në qershor të vitit 1998, Heroi Çekaj hyn në Kosovë si komandant i Brigadës 134, në Rrafshin e Dukagjinit;
Mes tjerash, merr pjesë në Betejën e lavdishme të Loxhës;
Nga shtatori 1998, së bashku me Agim Ramadanin e Rrustem Berishën, aktivizohet në rekrutimin e ushtarëve;
Së bashku projektojnë përgatitjet dhe ndërhyrjen për depërtim në Kosovë, duke e bërë këtë me Betejën Legjendare të Koshares më 9 prill 1999.
Ta duam lirinë dhe shtetin nënkupton ta duam, respektojmë dhe admirojmë kujtimin për shembujt e heronjve.
Në 10 ditët e Betejës së Koshares, nga 9 deri me 19 prill 1999, në kuadër të Brigadës 138, Sali Çekaj do ti gëzohej realizimit të ëndrrës për liri dhe thyerje të ndarjeve mes shqiptarëve, sikurse përjeton rëndë rënien e Heroit Agim Ramadani.
Më 19 prill 1999, në Koshare, Heroi Çekaj bën sakrificën sublime, në realizimin e vizionit të tij për Kosovën e lirë.
Më shumë se askujt, ne sot në këtë Akademi Përkujtimore si dhe në përditshmëri, kudo që kërkohet, duhet ti përgjigjemi thirrjes së vizionit të Sali Çekajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Vizioni i tij ishte fuqizimi i lirisë dhe përpjekjeve për të qenë zot në shtëpinë tonë, në Kosovë.
Të nderuar të pranishëm, më lejoni tju uroj Ditën e Veteranëve të Brigadës 138.
Lavdi dëshmorëve të rënë, respekt familjeve të tyre.
Lavdi dëshmorëve të Betejës së Koshares.
Lavdi Heroit dhe Komandantit Sali Çekaj.