U nda nga jeta Gani Azemi, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel
Prishtinë, 25 nëntor - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut Gani Azemi, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, stafi i MPJ-së dhe Ambasada e Kosovës në Bruksel, u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të shumtë të kolegut Azemi, i cili u nda nga jeta në orët e hershme të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë.
Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh konsideratat më të larta për punën dhe angazhimin e madh të zotit Azemi, veprimtari e cila do të jetë përherë shembull për kolegët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, kudo që ata ndodhen.
I vendosur në Bruksel më 1978 si refugjat politik, Gani Azemi për dekada të tëra ishte aktivist i palodhshëm për lirinë dhe pavarësisë së Kosovës.
Angazhimi i tij ishte i pareshtur e i shumanshëm, si gazetar, publicist, aktivist e diplomat.
Puna dhe veprimtaria e pakursyer dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Azemit, është shoqëruar përherë nga synimi i paepur për sensibilizim të vendimmarrësve në Bruksel me kauzën e Kosovës.
Gani Azemi ishte në ballë të një numri nismash, përfshirë edhe si bashkëthemelues i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ndërsa gjatë tri viteve të fundit shërbeu si këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në Prishtinë, me datë 1 dhjetor.