U fal namazi i Fitër Bajramit, lutje për tolerancë
Prishtinë, 17 korrik - Besimtarët myslimanë në Kosovë sot po kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Shënimi i kësaj kremteje ka nisur në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Festa e Fitër Bajramit, pason, muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Myftiu i Kosovës Naim Tërnava iu drejtua xhematit, duke u lutur për paqe, begati, tolerancë dhe solidaritet. Gjatë fjalimit të tij, Tërnava porositi se Bashkësia Islame e Kosovës është kundër çdo ekstremizmi dhe kundër çdo terrori që po bëhet nëpër vende të ndryshme të botës.
E kemi obligim të shenjtë, ta ruajmë vatanin tonë si sytë e ballit, ngase këtë e kemi amanet atdhetar e fetar. E rikonfirmojmë edhe njëherë përkushtimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të besimtarëve mysliman se jemi kundër çdo ekstremizmi të çfarëdo ngjyrimi fetar qoftë dhe kundër terrorizmit në emër të fesë. Vetëm të bashkuar e unik në qëllimet tona për mbrojtjen e atdheut tonë do të pengojmë me kohë çdo përpjekje për destabilizimin e shoqërisë sonë nga kushdo qoftë, ka thënë Tërnava.
Tërnava bëri një lutje drejtuar Zotit për Kosovën, që ta ruaj atë nga terrorizmi e aktet e krimit dhe dhunës. Në këtë ditë feste e krenarie, të lutemi o Zot, ashtu si u lut Ibrahimi a.s. për Meken e nderuar dikur, që vendin tonë ta bësh të sigurt, ta ruash prej kriminelëve, terroristëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë ti bëjnë keq tokës tonë Kosovës dhe gjithë trojeve tona etnike shqiptare, është adresuar me mesazhet e tij, myftiu Tërnava.
Jahjaga, Veseli dhe Mustafa urojnë për Fitër Bajramin
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë. Në këtë ditë feste, le të reflektojmë për punën, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë.Le të shtrijmë dorën e ndihmës dhe të solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë. Të punojmë çdo ditë, me shumë përkushtim, për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për vendin tonë, si pjesë e familjes së madhe evropiane, duke kultivuar me shumë respekt traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlerat me të çmuara të shoqërisë sonë, ka thënë Jahjaga në urimin e saj.
Me rastin e Fitër Bajramit, edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam të Kosovës. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Republikën e Kosovës ua uroj festën e Bajramit, duke ju dëshiruar mirëqenie dhe lumturi në familjet e tyre. Kjo festë shënon përmbylljen e muajit të agjërimit, i cili është muaj i vlerave të humanizmit, sikurse janë paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe solidariteti ndërnjerëzor. Këto vlera nuk i kanë munguar asnjëherë popullit tonë dhe ne sot duhet të angazhohemi të gjithë në forcimin e këtyre vlerave. Me fat Bajrami, thuhet në urimin e Veselit.
Qytetarët e Kosovës me rastin e Festës së Fitër Bajramit, i ka uruar edhe kryeministri Isa Mustafa.
Ai ka thënë se Festa e Bajramit mbi të gjitha simbolizon përkushtimin për paqe, solidaritet, mirëkuptim e tolerancë, vlera që e kanë karakterizuar ndër shekuj popullin e Kosovës. Duke uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët, kryeministri Isa Mustafa, thekson se kjo festë e madhe përçon mesazhin e bashkimit dhe të përkushtimit të mëtejshëm të të gjithë popullit të Kosovës për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit dhe realizimin e synimeve integruese euroatlantike të popullit të Kosovës, ka thënë në mesazhin e urimit kryeministri Mustafa.