Turqia vazhdon mbështetjen për sistemin e drejtësisë në Kosovë
Prishtinë, 4 mars - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, znj. Songul Ozan e cila fillimisht e ka uruar Ministrin Kuçi për mandatin e ri si Ministër i Drejtësisë.
Gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm në fusha të rëndësishme, në mes tyre dhe mbështetjen që Turqia ka dhënë për sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Ministri Kuçi e ka njoftuar Ambasadoren Ozan lidhur me hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në koordinim me institucionet e tjera të drejtësisë, për realizimin e reformave të reja legjislative në sistemin e drejtësisë me qëllim të rritjes së transparencës dhe efikasitetit të gjyqësorit.
Ndryshimet e planifikuara kanë për qëllim të reformojnë edhe sistemin e edukimit ligjorë në Kosovë, fushë kjo në të cilën Qeveria Turke vazhdimisht ka mbështetur institucionet e Kosovës përmes projekteve të ndryshme.
Ambasadorja Turke, në anën tjetër ka ri-konfirmuar që Qeveria Turke është e gatshme të vazhdojë të mbështesë konsolidimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike të gjyqësorit në Kosovë, konkretisht të ndihmojë në ndërtimin e objektit të Institutit Gjyqësor të Kosovës respektivisht Akademisë së Drejtësisë si një ndër projektet e planifikuara nga Qeveria e Kosovës.
Ministri Kuçi është shprehur se mirëpret çdo mbështetje të mëtejshme në drejtim të thellimit të bashkëpunimit përmes projekteve mbështetëse nga Turqia.