Turqia premton mbështetje për projektet e grave deputete
Prishtinë, 7 nëntor - Grupi i Grave Deputete pritën sot ambasadoren e Republikës Turke në Kosovë, shkëlqesinë e sajë, znj. Songül Ozan, më të cilën biseduan për pozitën e gruas në shoqërinë e Kosovës dhe për angazhimet e GGD-së për forcimin e rolit të saj.
Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, e njoftoi znj. Ozan për punën e Grupit të Grave, përbërjen, objektivat dhe angazhimin e tanishëm lidhur me nismën e GGD-së për blerjen e aparaturës së Mamografit Mobil.
Ajo tha se për këtë projekt kanë partnerë: OSBE-në, Ministrinë e Shëndetësisë, KCSF-në si dhe RTK-në, dhe se po ashtu kanë përkrahje të konsiderueshme nga disa ambasada dhe veçanërisht nga Asociacioni i Bankave të Kosovës, të cilat janë duke lobuar tek Bankat dhe organizatat të ndryshme për të mbledhur sa më shumë kontribute.
Znj Brovina ka theksuar se gratë deputete janë shumë të brengosura për shëndetin e gruas në shoqërinë e Kosovës, prandaj shfaqin edhe angazhim konkret dhe shumëdimensional për forcimin e rolit të saj.
\"Me insistimin e deputeteve që janë shumicë në Komisionin për Shëndetësi, kemi marrë iniciativë që ta amandamentojmë, Ligjin për Shëndetësi dhe me ligj ta rregullojmë trajtimin e sëmundjes së kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës. Dhe po ashtu jemi duke hartuar Planin për luftën kundër këtyre sëmundjeve specifike tek gratë\", ka thënë Brovina.
Znj Kadaj Bujupi pasi shpjegoi aspektet e projektit , tha se Aparatura e Ma-Mo-s është gjithëpërfshirës dhe me ketë aparaturë do tu dilet në ndihmë te gjitha grave anekënd Kosovës. Së pari, duke i bërë pjesë të projektit gratë nga asambletë komunale, e pastaj edhe duke bashkëpunuar me to me qëllim të përfitimit nga kjo aparaturë.
Deputeteja , Mufera Sinik, ndërkaq, ka falënderuar Republika Turke për mbështetjen e saj për Kosovën që nga lufta, si dhe për bashkëpunim ekonomik të madh në të gjitha fushat e jetës.
Sinik tha: GGD-ja përfshin të gjitha partitë dhe nacionalitetet dhe gratë e Kosovës dëshirojmë të sigurojmë përkrahje dhe përfitimi nga ky projekt i rëndësishëm.
Abasadorja, Ozan, e cila ditë më parë ka pranuar një letër nga kryetarja e GGD, Sahatqija, tha: Jam e impresionuar me rolin tuaj në politikë. Ju po bëni punë të mirë duke u marrë dhe aspekte që kanë të bëjnë me jetën e gruas dhe kjo nismë e juaja është shumë e rëndësishme.\"
\"Unë do të përpiqem që të gjej mënyrë për tju përkrahur nga ambasada që drejtoj dhe po ashtu do të kërkoj nga biznesmenët turk në Kosove që të përkrahin këtë projekt sipas mundësive të tyre, ka premtuar Ozan.