02 Maj 2024

Turqia përkrahë fuqishëm sovranitetin e Kosovës

Prishtinë, 26 gusht - Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të premten ka arritur në vizitë zyrtare në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu.

Pas takimit të zhvilluar ndërmjet dy delegacioneve shtetërore, Ministri Hoxhaj dhe Ministri Davutoğlu kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka shprehur përkrahje të fuqishme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Sipas tij, Turqia i kushton një rëndësi shumë të madhe integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. “Ne nuk dëshirojmë që në Kosovë të ketë struktura paralele dhe dëshirojmë që Kosova të ushtroj sovranitetin në të gjithë territorin e saj. Kjo është e drejtë e natyrshme e Kosovës dhe në këtë kontekst i kemi vlerësuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe edhe një herë dua të vërtetoj qëndrimin tonë për respektimin e  sovranitetin të Kosovës”, ka thënë Davutoğlu.

Duke shprehur mbështetje për dialogun Prishtinë-Beograd dhe duke uruar që ky dialog të ketë rezultate pozitive, Ministri i Jashtëm turk ka thënë se vizioni rajonal i Turqisë është që në Ballkan të krijohet një oazë e paqes dhe zhvillimit ekonomik. 

Ahmet Davutoğlu ka shprehur përkrahje të plotë të Republikës së Turqisë për procesin e forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës duke thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës kanë qenë meritë e popullit të Kosovës dhe se për këtë arsye Turqia dëshiron dhe do të angazhohet që Kosova ta fitoj reputacionin e merituar në arenën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë turke po ashtu ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës. 

Davutoğlu ka propozuar që të themelohet një forum intelektual dhe akademik , i përbërë edhe prej biznesmenëve, i cili do të ndihmonte në njohjen më të mirë të qytetarëve të dy shteteve dhe ku do të diskutoheshin çështjet me rëndësi për dy vendet tona.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar homologun turk për kontributin e Republikës së Turqisë në proceset e historike për Kosovën, duke përfshirë njohjen e Republikës së Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj, dhe më pas edhe në kontributin e dhënë për forcimin e shtetit dhe subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj i ka vlerësuar lartë marrëdhëniet politike, diplomatike por edhe ekonomike mes dy vendeve tona.

“Turqia është një vend që ka një peshë të veçantë ekonomike, rajonale dhe globale dhe Republika e Kosovës është një treg shumë atraktiv për investimet turke”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Hoxhaj vlerësoi se roli dhe pesha e Turqisë në rajon dhe në botë është rol që mbështetë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. “E falënderoj z. Davutoğlu për rolin e Turqisë, në mbështetjen e  paqes në të gjitha vendet e rajonit, duke ia mundësuar edhe Serbisë që t’i pranojë realitetet politike, edhe pavarësinë e Kosovës edhe realitetet tjera në Bosnjë dhe vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka theksuar raportet e veçanta në mes të popujve dhe dy shteteve tona, duke thënë se Republika e Kosovës sot paraqet shembullin më të mirë të integrimit të komunitetit turk në rajon dhe faktin se në Turqi ka shumë qytetarë me prejardhje nga Kosova.

Sa i përket çështjes së historisë, Hoxhaj ka thënë se janë historianët dhe akademikët në institucionet arsimore, dhe jo politikanët, ata që duhet ta shkruajnë historinë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)