Turqia mbështet integritetin e Kosovës
Mitrovicë, 10 tetor - Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Republikës së Kosovës, tha të mërkurën ambasadorja turke, Songul Ozan.
Këto komente i bëri gjatë një vizite në Mitrovicë, ku u takua me kryetarin e komunës, Avni Kastrati.
Ambasadorja Ozan, theksoi se nuk mund të flitet për ndarjen e Kosovës, meqë në një rast të tillë do të destabilizohej i gjithë rajoni.
Ne mbështesim integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe jemi kundër çfarëdo ideje për ndarje.
Në anën tjetër, ajo shprehu gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kryetari Kastrati, e falënderoi ambasadoren për vizitën dhe për interesimin e shtetit turk. Ne jemi mirënjohës për ju dhe për shtetin turk që na ka mbështetur vazhdimisht.
Ai vlerësoi shumë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë dhe në këtë rast edhe ndërmjet Mitrovicës dhe qyteteve të ndryshme të Turqisë.
Ne kemi krijuar një lidhje të veçantë me disa qytete turke, si Inegolin me të cilin jemi binjakëzuar.