Turqia do të jetë një lobuese e fuqishme për Kosovën
Prishtinë, 29 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion të Parlamentit të Turqisë, të kryesuar nga anëtari i këtij parlamenti, Rifait Sait.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës në të gjithë fushat dhe tha se është i nevojshëm thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit. Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe respekton vlerat e secilit komunitet.
Presidentja Jahjaga theksoi se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe mekanizmat rajonale dhe ndërkombëtare është i domosdoshëm dhe tha se po punohet në agjendën evropiane për vendin.
Rifait Sait, në emër të delegacionit të parlamentit turk, tha se vendi i tij i kushton një rëndësi të veçantë Kosovës, dhe e vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si shumë të mirë.
Ai tha se për Turqinë paqja dhe stabiliteti në Kosovë nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit.
Sait tha se Turqia do të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset dhe do të jetë një lobuese e fuqishme për Kosovën në vendet e Kaukazit dhe në vendet islamike.