Tribunali përmbyllë një kaptinë të vështirë të historisë së Kosovës
Prishtinë, 4 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me drejtorin e Departamentit të shtetit të SHBA-së të Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, zotëri Jonathan Moore.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Moore biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për krijimin e Tribunalit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Moore biseduan për rëndësinë që Kosova të tregojë kredibilitetin e saj si partner i bashkësisë ndërkombëtare, përmes një procesi të pavarur gjyqësor dhe të përmbyllë një kaptinë të vështirë të historisë së Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe tha se ky proces do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim.
Ajo tha se Kosova ka treguar kurajë dhe lidership për t\'u përballur me të kaluarën dhe theksoi se Kosova do të vazhdojë të angazhohet në përpjekjet për të vendosur rendin dhe ligjin.