Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel
Prishtinë, 12 tetor - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se çështja e kombinatit Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel.
Tahiri në një intervistë për Epokën e re ka thënë se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë pasuritë shtetërore të Kosovës nuk do të jenë pjesë e agjendës së këtij dialogu.
Ministrja për Dialog ka vlerësuar se reagimet e Serbisë lidhur me miratimin e Ligjit për Trepçën janë të kota.
Sipas saj, pala serbe nuk është në pozitë ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me rastin e Trepçës.
Po ashtu, Tahiri ka hedhur poshtë mundësinë që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i këtij dialogu do të bëjë presion mbi palën e Kosovës që Trepça të hedhet në tryezën e bisedimeve.