Tre profesorë universitar dhe një nëndegë e PDK-së i bashkohen AKR-së
Prishtinë, 20 maj - Tre profesorë universitar dhe nëndega e PDK-së në Hajvali, sot kanë bërë publike aderimin e tyre në Aleancën Kosova e Re.
Të sapo aderuarit janë, Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Halit Ymeri profesor në fakultetin e Mjeksisë dhe Naser Pajaziti profesor në Fakultetin e Edukimit. Poashtu, të martën në AKR aderoi edhe nëndega e PDK-së në Hajvali e kryesuar nga Azem Selmani, kryetar i kësaj nëndege.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli me këtë rast tha se kësaj partie çdo ditë e më shumë po i shtohen vlerat e shoqërisë sonë, që do të ndihmojnë AKR-në drejt fitores në zgjedhjet parlamentare dhe Kosovën drejt zhvillimit. Z. Pacolli u ka dëshiruar mirëseardhje duke ju thënë se AKR është një ambient i qetë dhe familjar, ku të gjithë mund të japin kontributin e tyre në të mirë të shoqërisë.
AKR është një parti që gjithmonë ka vepruar dhe ka punuar për interesat e qytetarit dhe ne nuk kemi asnjë bagazh negativ nga e kaluara, mirëpo ne nga e kaluara marrim vetëm vlerat dhe në bazë të tyre e krijojmë ardhmërinë. Koha e AKR-së po vjen, sot vendit i nevojitet zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve. Ngritja e vetëdijes së qytetarit tani ka filluar, tha Pacolli.
Pacolli përsëriti se AKR-ja do të bëj koalicion pas zgjedhjeve me atë parti e cila do ti garantojë zbatimin e plotë të programit ekonomik të AKR-së. Sipas tij, ky subjekt politik ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë parti e vlerave.
Aleanca Kosova e Re nuk do të hyjë në koalicion me asnjë parti tjetër, vetëm në qoftëse ekziston mundësia që ndonjë parti i paraprinë 100 për qind implementimit të programit ekonomik të AKR-së, tha z. Pacolli.
I pyetur se kush do të jetë bartës i listës së deputetëve në këto zgjedhje, Presidenti Pacolli tha se në krye të listës së AKR-së do të jetë z. Ibrahim Makolli, ndërsa vetë ai do të jetë i fundit në listë.Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se ka çmuar gjithmonë politikën e jashtme të udhëhequr nga presidenti Pacolli drejt lobimit për njohje.
Edhe dy profesorët tjerë thanë se e kanë vëzhguar prej shumë kohësh politikën e partive politike dhe kanë vlerësuar se AKR është ajo që me programin dhe aktivitetin e saj të vazhdueshëm për zhvillim ekonomik të vendit, ka bërë që ata ti bashkohen kësaj partie.
Ish anëtarët e nëndegës së PDK-së në Hajvali, që me rastin e këtij organizimi aderuan në AKR, thanë se kanë qenë të zhgënjyer me partinë e tyre, përderisa në AKR kanë gjetur dyert e hapura për bashkëpunim.