16 Janar 2025

Transparenca në komunën e Prizrenit ende në nivel të ulët

Prizren, 8 shkurt - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe në pjesën e dytë të muajit janar ka shqyrtuar aspekte që kanë të bëjnë me transparencën e komunës karshi publikut.

Muaj më parë, EC Ma Ndryshe disa herë ka përmendur se transparenca e komunës së Prizrenit ka të meta strukturore dhe se përkundër përpjekjeve modeste të lidershipit komunal vazhdon të jetë në nivel të ultë, që manifestohet me informim jo-adekuat, mos përfshirje të duhur në vendimmarrje dhe aspak llogaridhënie karshi qytetarëve.

Për t’i mbështetur këto konstatime, EC Ma Ndryshe gjatë periudhës raportuese ka analizuar raste specifike që çojnë deri te përfundimi se ekzekutivi lokal duhet të bëj përpjekje të shumta dhe të sinqerta që të përmirësoj transparencën dhe komunikimin me qytetarët, ndaj të cilëve edhe ka përgjegjësi.

Pas kërkesave të shumta EC Ma Ndryshe ka siguruar raportin e hulumtimit të bërë nga MPR Consulting mbi “Përmirësimin e shërbimeve komunale, përgjegjshmërisë dhe zhvillimit të ekonomisë lokale”.

Në bazë të tenderit të shpallur në shtator të vitit të kaluar nga komuna qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë identifikimi i problemeve dhe mundësive të përmirësimit të të hyrave vetanake të komunës së Prizrenit.

Mirëpo edhe pse hulumtimi është kryer në nëntor të vitit të kaluar dhe ka pas për synim përmirësimin e arkëtimit të hyrave vetanake, komuna e Prizrenit respektivisht Drejtoria për Ekonomi dhe Financa nuk i ka bërë publike të gjeturat e hulumtimit.

Në bazë të faturës së MPR Consulting, DEF për këtë hulumtim ka paguar 9 mijë e 950 euro. Për EC Ma Ndryshe është e papranueshme qasja që raporti nga projekti i paguar nga mjetet e taksapaguesve të qëndroj në sirtarët e DEF-it dhe të gjeturat të mos shpalosen para publikut.

Çështja bëhet edhe me serioze kur dihet se projekti është hartuar me qëllim të rritjes së arkëtimit të hyrave vetanake, ndërkohë që bizneset nuk janë njoftuar me përmbajtjen e hulumtimit dhe si pasojë e mos-komunikimit të duhur komunë-biznese, kjo e para është detyruar që të rikthej 2/3 e borxheve të falura. Po ashtu në hulumtim theksohet se “sa i përket transparencës në përgjithësi qytetarët nuk janë mirë të informuar rreth transparencës së administratës lokale.”

Një çështje tjetër e cila duhet të ketë transparencë të theksuar është ajo e ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza.

Në mars të vitit 2012, KK-ja e ka autorizuar kryetarin Ramadan Muja që të marrë kredi apo hua në vlerë prej tre milionë eurosh, me qëllim të shpronësimit të parcelave private në fshatin Vlashnje, ku parashihet realizimi i këtij projekti.

Në raportin e punës për vitin 2012 kryetari Muja nuk ka dhënë asnjë informatë mbi rrjedhën e kredi apo hua marrjes. Raportim të tillë nuk ka bërë as para anëtarëve të KK-së, nga të cilët e ka marrë këtë autorizim. 

Ndërkaq gjatë monitorimit në këto muaj, EC Ma Ndryshe ka vërejtur edhe rrjedhën e ngadaltë të informatave dhe dokumenteve nga të gjitha drejtoritë te Zyra për Informim dhe Komunikim, gjë që sjell deri te mos publikimi i vendimeve në kohë reale dhe mos informimi i duhur i publikut për çështje të ndryshme relevante. Kjo dukuri bën që edhe transparenca online komunës të ketë defekte serioze, që nuk përkon me zotimet për qeverisje llogaridhënëse. 

Duke i marrë për bazë të gjitha këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konstaton se transparenca në komunën e Prizrenit mbetet në nivel jo të kënaqshëm. Kryetari i komunës dhe ekzekutivi lokal duhet të shtojnë përpjekjet që të njoftojnë me kohë publikun mbi vendimet, planet, projektet, buxhetin, hulumtimet dhe çështjet tjera me rëndësi për publikun. 

EC Ma Ndryshe rekomandon qeverinë komunale që të zbatoj në përpikëri dispozitat e Udhëzimit Administrativ 2008/09 të MAPL-së për transparencë.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje ekzekutivit lokal që të raportoj më shpesh në media për çështjet që lidhen me përdorimin e buxhetit komunal, zhvillimin ekonomik, përdorimin e pronës komunale, planifikimin urban, investimet, të hyrat komunale dhe çështje tjera.

EC Ma Ndryshe kërkon nga kryetari, drejtorët dhe shefi i Zyrës për Informim që të mbajnë konferencave periodike të shtypit, por edhe organizimin e seancave pyetje-përgjigje me publikun e gjerë ose grupet e interesit.

Po ashtu kërkohet amendamentimi i Rregullores për Transparencë dhe të përfshihen në mënyrë eksplicite obligimet e kryetarit dhe ekzekutivit komunal në raport me transparencën lokale.

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe bën thirrje për përditësimin e ueb-faqes zyrtare të komunës me informacione relevante për qytetarët e komunës së Prizrenit.  

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)