Trajtimi i njerëzve me autizëm, tregues themelor i cilësisë së demokracisë
Prishtinë, 2 prill - Zyra për Qeverisjes të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën “Autizmi”, organizoi sot një konferencë të përbashkët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Njerëzit tanë, për të cilët po flasim këtu, përbëjnë një grup, trajtimi i të cilit është tregues themelor i cilësisë dhe shkallës së demokracisë”, u shpreh kryeministri Kurti.
Duke shtuar se fëmijët autistë nuk kanë deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por kanë nevojë për shoqërim më të matur, më të hollë, më të rregullt, ai tha se “nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për ta përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj”.
Kryeministri Kurti tha se duhet të kemi vëmendje të shtuar te shkollat e klasat tona, na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Për këtë qëllim ai përmendi se gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetje profesionale të fëmijëve dhe se do të shtohen edhe nga 100 tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.
Ndërkaq, Qeveria është zotuar për përkrahje të organizatave të specializuar për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti dhe talente, për çka janë alokuar 200,000 euro. Me këtë rast, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, e veçanërisht nëse ata janë autikë.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se si Qeveri jemi të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim gjinie e moshe, pa dallim përkatësie e aftësie.
Ministrja Nagavci tha se Dita Ndërkombëtare e Autizmit “synon të ofrojë mundësi për të rritur më tej ndërgjegjësimin për fëmijët me autizëm dhe çështjet që lidhen me edukimin dhe arsimimin e tyre, si shtylla kryesore për pjesëmarrjen e tyre në shoqëri dhe të modelojmë të ardhmen e zhvillimit për të gjithë”.
Kurse, ministri Latifi, duke shprehur zotimin për mbështetjen për këtë kategori të shoqërisë, tha se, “sot në Ditën Botërore të Autizmit, rikonfirmojmë zotimin tonë, që kjo kategori ka të drejtë të gëzojë standardet më të larta të mundshme shëndetësore dhe edukative pa diskriminim, duke iu siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e hershëm”.
Qëllimi i konferencës së sotme ishte që të diskutohen nevojat, prioritetet dhe të drejtat e personave me autizëm, mbledhja e të dhënave, zhvillimi i statistikave, vendosja e prioriteteve në planin e punës, si dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të institucioneve me shoqërinë civile.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, aktivistja për të drejtat e personave me autizëm, Shpresa Xhakli, Drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, Drejtorja e organizatës ANAK, Jeta Deva, Drejtorja e organizatës “Autizmi Flet”, Violeta Hyseni, Kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu si dhe prindër, punonjës profesionalë e shëndetësorë.