Trajkoviq kërkon mos të mbahet referendumi
Prishtinë, 8 janar - Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se nisma për referendumin e veriut ka për qëllim shembjen e perspektivës evropiane të Serbisë, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit ta stopojnë atë.
Një shtet serioz unë dua të besoj se shteti im është i tillë do ta anulonte atë referendum në seancën e parë të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk ka fuqi, do ta bënte Qeveria e Serbisë, ka thënë Trajkoviq për mediat serbe.
Sipas saj, referendumi në fjalë është qesharak dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Në referendumin e veriut është thënë se do të marrin pjesë qytetarët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Me referendumin në fjalë synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri.