20 Janar 2025

Themelohet mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës

Prishtinë, 14 janar – Bazuar në nenin 17 të Ligjit të ri për Avokatin e Popullit, i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka nënshkruar vendimin për themelimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese (MKPT), si një strukturë e veçantë në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).

Themelimi i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT)është në pajtim me ProtokollinOpsional të Konventës kundër Torturës (OPCAT), brenda të cilit përcaktohet edhe fushëveprimi i Mekanizmit. Mekanizmi kryen inspektime të rregullta në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin,burgjet, objektet e paraburgimit, qendrat e mbajtjes së imigrantëve (qendrat e azilkërkimit) institucionet e kujdesit social apo psikiatrik (shtëpitë e pleqve, shtëpitë e shëndetit mendor), qendrat e mbrojtjes së fëmijëve dhe objekteve e hapësirave të kujdesit për personat e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe çdo hapësire tjetër ku dyshohet se ka shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Çështjet shqetësuese që identifikohen gjatë vizitave inspektuese përkthehen në raporte me rekomandime, në mënyrë që të arrihet progres sa i përket përmirësimit të trajtimit të personave të privuar nga liria dhe standardeve të kushteve fizike dhe infrastrukturës në këto hapësira, si për këta persona, po ashtu edhe për stafin që punon aty. 

IAPnë vazhdimësi ka monitoruar institucionet e mbyllura dhe trajtimin e personave që janë mbajtur aty, mirëpo themelimi zyrtar i mekanizmit, bazuar në OPCAT, shtron kritere dhe kërkesa të reja të inspektimit. Në këtë aspekt, veçori e re është mundësia e përfshirjes si punonjës në këtë mekanizëm, përveç juristëve, edhe e profesionistëve nga fusha të ndryshme, posaçërisht mjekë, psikologë dhe punëtorë social me përvojë në këtë fushë. Po ashtu, ligji mundëson edhe angazhimin e ekspertëve dhe personave të specializuar, të cilët do të mund të merrnin pjesë në vizitat e inspektimit dhe do të kenë të drejtat dhe obligimet e njëjta, sikurse personeli tjetër në IAP. Mundësia për të përdorur ekspertë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe konsiderohet se u sjell vlerë shtesë aktiviteteve të inspektimit nga ana eMKPT, respektivisht Avokatit të Popullit.

MKPT në realizim të funksioneve të tij ligjore, do të bashkëpunojë ngushtë me organizata të shoqërisë civile aktive dhe të specializuar të fushës. Ky bashkëpunim bazohet në ofrimin e ekspertizës cilësore, sipas standardeve të OPCAT-it, gjatë kryerjes së vizitave të rregullta në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria. Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, MKPT do të jetë pjesë e takimeve të Rrjetit të mekanizmave të Evropës Juglindore me rrjetin e Evropës të MKPT dhe gjithashtu kontakteve dhe bashkëpunimit të rregullt me Komitetin për Parandalimin e  Torturës (CPT).


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)