Themelohet Komisioni për Kategorizimin e Veteranëve Luftëtarë të UÇK-së
Prishtinë, 21 korrik - Nën udhëheqjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt mbledhja e 150-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kabineti miratoi Nismën për negocimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Republikës së Kroacisë për bashkëpunim dhe ndihmë reciproke në çështjet doganore. Qëllimi i Marrëveshjes është zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve miqësore të autoriteteve doganore të dy vendeve, duke pasur parasysh nevojën për ndihmë dypalëshe për të parandaluar kontradiktat e legjislacioneve doganore për të luftuar trafikun e paligjshëm të mallrave. Dy qeveritë janë dakorduar për bashkëpunim të ndërsjellë në çështjet doganore. Kjo është marrëveshja e 9-të e kësaj fushe që nënshkruan Qeveria e Kosovës me qeveri të shteteve tjera.
Po ashtu, në këtë mbledhje, është miratuar edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes me Shtetin e Kuvajtit për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin. Me anë të kësaj marrëveshje do të vihen bazat e bashkëpunimit ekonomik dhe administrativ në mes të dy shteteve, pasi që nënshkrimi i Marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë është një mundësi për promovimin e investimeve të huaja në Kosovë dhe për stimulim të bizneseve kosovare që të zgjerohen jashtë vendit.
Kabineti ka marrë vendim që të themelohet Komisioni për Kategorizimin e Veteranëve Luftëtarë të UÇK-së, sipas kategorive të dhëna në Ligjin 05/L-141 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-261 për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kategorizimi i veteranëve të UÇK-së si përfitues të pensioneve dhe beneficioneve tjera, përcaktohet në përputhje me kohën e mobilizimit të shërbimit në UÇK, si në vijim:
Kategoria e parë, Veterani luftëtar i UÇK-së, i angazhuar nga viti 1991 deri më 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.
Kategoria e dytë, Veterani luftëtar i UÇK-së, i angazhuar në luftë pas datës 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.
Kategoria e tretë, Veterani luftëtar i UÇK-së, i mobilizuar në luftë pas datës 31 mars 1999 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës, si dhe Veterani luftëtar i UÇK-së, i angazhuar në luftë nga viti 1991, përkatësisht pas 5 mars 1998, por që nuk ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.
Në këtë mbledhje, është miratuar kërkesa për shpronësim për interes publik të pronave (objekteve) të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2, Prishtinë - Mitrovicë, segmenti Milloshevë - Vushtrri.
Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq.
Për shkak të situatës emergjente, KEK-u ka propozuar shpronësimin e 17 pronave të pronarëve që gjenden në afërsi të eskavatorëve të KEK-ut në këto fshatra. Kryeministri Mustafa ka theksuar rëndësinë e këtij vendimi, duke potencuar se çdo vonesë rrezikon ndaljen e punës së KEK-ut.
Dua tju njoftoj se kanë lindur probleme të konsiderueshme lidhur me vazhdimin e mëtutjeshëm të mihjes sipërfaqësore të KEK-ut në drejtim të fshatit Shipitullë dhe Hade, për shkak të asaj se me kohë nuk janë bërë shpronësimet atje dhe se çdo vonesë këtu rrezikon që të ndalet puna e KEK-ut në atë pjesë dhe të mbesim në mungesë të prodhimit të energjisë elektrike, që pastaj do të shkaktojë nevojën që ne të importojmë energji elektrike nga vendet tjera, që është një ballafaqim me çmime shumë më të larta dhe me humbje të mëdha të vendit tonë në këtë drejtim. Kam pasur një bisedë me përfaqësuesit e KEK-ut, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, ata të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të Agjencisë së Minierave dhe Mineraleve dhe të Komunës së Obiliqit. Kam kërkuar që të gjitha ata të marrin masa në fushëveprimin e tyre, por të gjitha masat janë masa ligjore, jo masa tjera, sepse ka pasur kërkesë edhe për masa emergjente, sepse në masa emergjente nuk mund të hyjnë shpronësimet në atë pjesë, por duhet të plotësohen masat ligjore. Prandaj, është mirë që sot këtë ta aprovojmë, në mënyrë që të fillojnë procedurat, sepse këto procedura janë vonuar nga subjektet përkatëse dhe po ashtu tregojmë gatishmërinë e Qeverisë që në çdo moment që zhvillohen këto procedura, kryhen proceset e parapara ligjore, ne prapë dalim në Qeveri dhe krijojmë kushte që sa më shpejt të përmbyllet ky proces dhe të krijohen kushte ligjore që KEK-u të hyjë në pronësi atje, mirëpo duke plotësuar kushte ligjore dhe në asnjë moment jashtë plotësimit të këtyre kushteve. Në qoftë se KEK-u në bazë të kornizës së Bankës Botërore gjenë mundësi që të arrijë marrëveshje me palët atje dhe të krijojë mundësi tjera për hyrje në pronësi sipas kornizës, është çështje tjetër, mirëpo ne procedurat ligjore është e domosdoshme që ti përmbushim, sepse është një çështje që më së paku mund të thuhet se është emergjente, është më shumë sesa emergjente, sepse mund të dëmtohet shumë KEK-u dhe mund të dëmtohemi me furnizim me energji elektrike për arsye të vonesave. Do të dëmtohemi materialisht, sepse ka pasur vonesa të mëdha dhe në vend që neve shpronësimi atje të na kushtojë rreth 5 milionë euro, tani për tani llogaritet se do ti kushtojë KEK-ut rreth 15 ose 20 milionë euro, për arsye se janë lejuar ndërtime pa leje në atë pjesë të shumë shtëpive që sjeton askush, por çështjet do të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi dhe nga ne nga procedurat ligjore, sepse jashtë tyre nuk mund të veprojmë, tha kryeministri Mustafa.
Me vendime të veçanta, kabineti qeveritar ka marrë vendim për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Standardizim dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Ndërsa, në pajtim me Ligjin nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, dhe Rregullores nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozitat e Larta Drejtuese në Shërbimin Civil, është emëruar Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në të ndryshme, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin për përgatitjen rreth ndryshimeve buxhetore që duhet bërë, për përballimin e obligimeve të Qeverisë.
Për shkak të shtyrjes së rishikimit të buxhetit, ne duhet të marrim vendim për shkurtime dhe rialokime të fondeve, për shkak se një pjesë e të hyrave kanë qenë të lidhura me të hyrat që vijnë nga AKP-ja. Propozimin e ndryshimit të Ligjit të AKP-së e kemi gati në Qeveri, por duke qenë se nuk ka Parlament, ne nuk mund ta procedojmë atë. Aty janë të parapara 38 milionë euro që pritet të vijnë nga AKP-ja, që janë të lidhura me projekte kapitale. Duke qenë se ato mjete tash nuk vijnë, ne e kemi gati. Sot e kemi dorëzuar edhe njëherë të rishikuar tabelën, me të cilën unë i propozoj Qeverisë që të bëjë shkurtime në projekte kapitale nëpër ministri, për ato projekte kapitale që nuk kanë filluar procedurat, sepse kemi obligime në veçanti te kontrata e autostradës dhe disa projekte të tjera.
Përveç kësaj, kemi obligime tek veteranët e luftës që me 8 gusht përfundojnë ndarjet buxhetore që janë për ta dhe 6 milionë për zgjedhje lokale. Duke qenë se nuk mund të bëhet rishikimi tash, unë sot do tjua dorëzoj materialin dhe kërkoj që ta kemi në rend dite propozim-vendimin për shkurtime dhe rialokime të mjeteve për projekte kapitale dhe në disa skema sociale.
Ne kemi filluar edhe më herët me procesin e rishikimit, por duke qenë se ishin këto zhvillimet të krijimit të institucioneve, nuk është shtyrë përpara. Nuk e di sa do të vazhdojë kjo situatë, por, unë propozoj që në Qeveri ne ta aprovojmë rishikimin e buxhetit dhe kurdo që konstituohet Parlamenti, besoj që vendimi i parë duhet të jetë aprovimi i ndryshimit të Ligjit për Buxhetin i vitit 2017. Unë propozoj që sekretarët tuaj dhe zyrtarët të angazhohen në këtë proces me drejtorin e buxhetit në Ministrinë e Financave, në mënyrë që ta përmbyllim këtë proces deri në fund të javës së ardhshme, ka thënë ministri Hoti.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që ka bërë Ministria për furnizimin me tekstet shkollore për nxënësit e arsimit parauniversitar.
Sivjet kemi arritur që të kemi kursime të konsiderueshme nga buxheti, i cili është alokuar në fillim. Kemi marrë vendim që nxënësit nga klasa e parë deri në të gjashtën të furnizohen me tekste të reja, kurse prej të gjashtës deri në të nëntën nga rezervat dhe nga tekstet e vjetra. Kjo është një praktikë e mirë e kursimit të buxhetit dhe është një tejkalim i një problemi kronik që e kemi pasur, sepse gjithmonë ka pasur mungesë të mjeteve. Këto ditë do të fillojë furnizimi me tekste dhe nuk do të ketë asnjë problem sa i përket fillimit me kohë të vitit shkollor, sepse e dini problemin e vitit të kaluar, kur në fund të muajit gusht kemi marrë zotim për buxhet dhe kemi shtyrë për një javë vitin shkollor.
Gjatë muajit gusht të gjitha shkollat do të marrin tekstet për klasat 1-6, kurse drejtoritë komunale kanë deklaruar rezervat dhe ato rezerva do të jenë të mjaftueshme për të furnizuar të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, ka thënë ministri Bajrami.
Kryeministri Isa Mustafa është shprehur i kënaqur për përmbylljen me sukses të furnizimit me tekste shkollore për nxënësit parauniversitar, meqë, siç tha ai, viteve të kaluara ka pasur telashe në sigurimin e buxhetit për këto tekste.
Më tej, kryeministri Mustafa ka folur për rëndësinë e ndërhyrjeve në buxhet, në mënyrë që të sigurohen mjetet për përballimin e obligimeve themelore, për tu siguruar në këtë mënyrë që vendi mos të bije në pozitë të pavolitshme.
Të gjithë jemi koshient se nuk është lehtë që të bëhen tash ndërhyrjet në investime kapitale dhe tek projektet e ndryshme, por duhet të kemi parasysh se nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse kemi ardhur në një situatë që nuk kemi zgjidhje tjetër, nuk e kemi Kuvendin që mund të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit, dhe në kushte normale që të sigurojmë këto mjete. Si Qeveri do ta bimë vendin në pozitë shumë të pavolitshme dhe veten, në qoftë se nuk arrijmë të sigurojmë mjetet për përballimin e disa obligimeve themelore që janë. Janë këto obligime që kanë të bëjnë me autostradën, sepse punët janë kontraktuar përpara, kanë ecur. Ne kemi pasur shumë telashe edhe me kërkesa për tu bërë ndryshime dhe plotësime të kontratës, por nuk kemi pranuar që të ndërhyjmë në kontratë, sepse kemi thënë që në asnjë veprim nuk e bëjmë jashtë kontratës bazë, por janë detyrime që rrjedhin mbi bazën e ekzekutimit të punimeve në terren, që në qoftë se nuk i përmbushim me kohë, atëherë do të paguhen penalltitë, dhe penalltitë do ti kushtojnë shumë më shumë këtij vendi sesa që ne pak të rrudhemi me disa projekte, dhe të krijomë hapësirë për ti paguar. Janë shpenzimet për zgjedhje lokale, që duhet KQZ-së rreth 5 apo 6 milionë tia sigurojmë, sepse i kemi shpenzuar mjetet për zgjedhje nacionale që kanë qenë të pa planifikuara. Kemi problemin me veteranët, sepse kemi llogaritur që deri në këtë kohë ne do të bëjmë klasifikimin e veteranëve dhe do të kursehen ato mjete, do të kem më pak shpenzime, mirëpo edhe për një periudhë duhet të shohim se si ti sigurojmë këto mjete. Ka edhe detyrime tjera që na kanë dal për të cilat nuk jam i interesuar që të flasim sot këtu. Kemi biseduar edhe me ministren Hoxha dhe me ministrin Hyseni, por duhet të shohim, sepse mund të vijnë detyrime një ditë, dhe duhet të gjejmë rrugë si ti realizojmë. Por ne po mundohemi që ministritë përkatëse të bëjnë punën e tyre dhe të shohim sesi ato çështje të zgjidhen në mënyrë legale, por ju kisha lutur materiali që vjen nga ministri, të trajtohet, por të trajtohet si në shtëpinë tonë, sepse ne për këtë vend duhet të gjithë të angazhohemi dhe të gjejmë zgjidhjen e cila duhet të gjendet. Të shohim se cilat janë ato projekte tek të cilat ende nuk kemi filluar procedurat dhe mund të heqim dorë dhe të krijojmë një rezervë, në mënyrë që mos të ketë hidhërime më pas në Qeveri kur të marrim vendime, edhe po ashtu të përgatitemi për rishikimin e buxhetit, sepse ju e dini si shkon kjo puna e konstituimit të organeve. Unë do të dëshiroja që Kuvendi nesër të konstituohet dhe të fillojnë procedurat, por edhe kur konstituohet dhe bëhet Qeveria, prapë lypet një kohë që të punohet. Do ta punojnë këta zyrtarë që punojnë edhe sot, edhe më mirë që ta punojnë këta zyrtarë me kohë dhe ne ta përgatisim. Qeveria e ardhshme që vjen, në qoftë se e sheh të arsyeshme, që të bëjë ndonjë korrigjim, e bënë, do të thotë e ka të drejtën e plotë që ta bëjë. Parlamenti mund të bëjë korrigjimet në leximin e parë dhe të dytë, por ne është mirë ta përgatisim rishikimin për këtë vit, sepse janë ato detyrime të cilat duhet të përballohen deri në fund të këtij viti, e ne veç kemi hyrë në fazën e dytë të këtij viti. Javën tjetër do ta mbajmë edhe një takim, kemi disa prej këtyre çështjeve që na kanë mbet, edhe disa emërime, kemi çështjen e Programit Investiv të ndarjeve të mjeteve që e kemi pas prej Ministrisë së Kthimit, do ta bëjmë bashkë edhe me fondin e Zyrës së Kryeministrit për Komunitete. Kemi disa marrëveshje, sot nuk është ministri Hoxhaj, por do ta lus që ti harmonizoj me ministrin e Financave, që kanë të bëjnë me kreditë e buta të austriakëve për disa komuna që janë përfunduar procedurat, dhe çështje tjera që ju konsideroni se duhet çuar përpara.