Themelohet Këshilli për Zbatim dhe Monitorim
Prishtinë, 12 shkurt - Themelimi i Këshillit paraqet përmbushjen e njërit nga prioritetet kyqe të Studimit të Fizibilitetit, dhe që do të hapë rrugën për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Sot, në prani të Përfaqësuesit të BEsë dhe shefit të Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, si dhe Shefit të OSBEsë në Kosovë, AmbasadoritJean Claude Schlumberger dhe, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, nënshkroi Udhëzimin Administrativ për themelimin e Këshillit Zbatues dhe Monitorues.
Themelimi i Këshillit ofron monitorim më të fokusuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që themelimi i KZM ka qenë ndër prioritetet afatshkurtëra të dala nga Studimi i Fizibilitetit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim-Asociim.
Gjithashtu, kjo kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Këshilli Zbatues dhe Monitorues do të ndihmojë dhe monitorojë zbatimin e dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë, duke përfshirë në veçanti dispozitat e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Qendrën Hostorike të Prizrenit dhe Fshatit Hoçë e Madhe.
Ky këshill i dalë nga legjislacioni i Republikës së Kosovës, dhe i mbështetur në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës (Pako e Ahtisaarit), bashkëkryesohet nga MMPH dhe BE, dhe ka pesë anëtarë që janë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bashkimit Europian, OSBEsë dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e përfshira në themelimin e Këshillit mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.