Themelohet Këshilli i Kosovës për Marrëdhënie me Jashtë
Prishtinë, 29 janar - Instituti i Kosovës për Paqe (KIP) përmes kësaj komunikatë dëshiron të ju njoftoj për themelimin e Këshillit të Kosovës për Marrëdhënie me Jashtë (KKMJ), i cili do të shërbejë si një forum i pavarur për hulumtim, promovim si dhe avancim të marrëdhënieve të Kosovës me jashtë.
KKMJ do të sjellë së bashku aktorët kyç vendor dhe ndërkombëtarë që ndihmojnë në politikën e jashtme të Kosovës, duke përfshirë përfaqësues dhe individë që punojnë për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile, institucionet ndërkombëtare, akademikë, dhe diplomatë të pavarur.
KKMJ orienton punën dhe veprimtarinë e saj strategjike në fushat e mëposhtme:
Ofrimin e kontributit për avancimin e interesit kombëtar të Kosovës dhe të politikës së jashtme, si dhe nismën e një debat publik mbi pozitën e Kosovës si një aktor global;
Ofrimin e udhëzimeve intelektuale dhe strategjik për ndjekjen e interesave regjionale dhe ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe procesin e integrimit në BE, si dhe çështjet e sigurisë rajonale dhe globale;
Ofrimin e mbështetjes për njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare; si dhe
Dokumentimin e politikës së jashtme të Kosovës, në të tashmen dhe të kaluarën, dhe ofrimin e analizave dhe hulumtimeve për politikën e jashtme të Kosovës;
KKMJ synon të arrijë këto objektiva strategjike përmes hulumtimeve dhe publikimeve të cilësisë së lartë, ngjarjeve publike, dhe aktiviteteve konsultative. KKMJ do të financojë aktivitetin e saj kryesisht nga donacionet, anëtarësia, si dhe nga burime të tjera nga ofrimin i shërbimeve të konsulencës.
KKMJ do të jetë e lidhur dhe do të veprojë në bazë të statusit ligjor të KIP-it, por ajo do të zhvillojë programet e veta dhe aktivitetet në mënyrë të pavarur nga KIP-i. KKMJ do të përbëhet nga personeli ekzekutiv, dhe anëtarësisë së gjerë, e cilat do të takohen në baza të rregullta.
KKMJ do të nisë zyrtarisht aktivitetin e saj me një ngjarje të veçantë që do të organizohet në një të ardhme të afërt.