Thellohet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite
Prishtinë, 7 maj - Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, i përfaqësuar nga Komisioni Parlamentar i Miqësisë, Arabi Saudite-Kosovë, kryesuar nga Abdullah Hamoud Al Harbi.
Duke e falënderuar delegacionin nga Arabia Saudite për përkrahjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës dhe për njohjen e pavarësisë së saj, kryetari Kurti bëri një prezantim të gjendjes aktuale në Kosovë, duke i identifikuar dy probleme kryesore, më të cilat, sipas tij, përballet vendi: qyteti i ndarë i Mitrovicës dhe papunësia.
Kryesuesi i delegacionit arab, Abdullah Hamoud Al Harbi, pasi falënderoi Komisionin për Punë të Jashtme për mikpritjen, shpalosi parimet bazë mbi të cilat bazohet puna e Asamblesë Konsultative të Arabisë Saudite, si: mosndërhyrja në çështje të brendshme të shteteve të tjera, respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e i vullnetit të popujve për vetëvendosje etj.
Në vazhdim, anëtarë të të dyja delegacioneve shprehën përkushtimin për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve dhe dy shteteve në përgjithësi.
Anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës theksuan nevojat e Kosovës për ulje të papunësisë e zhvillim ekonomik, ndërsa përfaqësues të delegacionit nga Arabia Saudite u interesuan për fushat në të cilat do të mund të fokusoheshin investitorët eventualë nga vendi i tyre.