Thellohet bashkëpunimi Kosovë-Turqi
Prizren, 17 maj - Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri priti delegacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Medias dhe Informacionit të Zyrës së Kryeministrit të Turqisë, të drejtuar nga drejtori i përgjithshëm, Murat Karakaya.
Znj.Tahiri fillimisht vlerësoi marrëdhëniet ndërshtetërore si shumë të mira dhe falënderoi Qeverinë e Turqisë dhe kryeministrin Erdogan për lobimin për njohjet e reja për Kosovën. Ajo shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunim në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë.
Znj.Tahiri tha se mbështetja nga ana e Qeverisë së Turqisë për Qeverinë e Kosovës në fushën e komunikimit qeveritar me publikun përmes organizimit të trajnimeve për zyrtarët e komunikimit të institucionet publike të Kosovës mund të kontribuoj shumë në ngritjen e kapaciteteve tona në këtë fushë, duke marrë parasysh traditën e gjatë demokratike të Turqisë.
Gjithashtu znj.Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës mirëpret idenë e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mes Zyrës për Komunikim me Publikun të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Medias dhe Informacionit të Zyrës së Kryeministrit të Turqisë, për bashkëpunim në fushën e komunikimit qeveritar me publikun.
Ajo vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimeve rajonale në këtë fushë dhe falënderoi për pjesëmarrjen e Zyrës për Komunikim me Publikun të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe mediave kosovare në Forumin Ballkanik të Medias në Bursa të Turqisë gjatë vitit 2011.
Poashtu znj.Tahiri mirëpriti organizimin e Forumit Ballkanik të Medias në njërin nga vendet e Ballkanit gjatë këtij viti dhe shprehu gatishmëri që Kosova të jetë nikoqirë e këtij forumi që do të ishte në frymën e forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Tahiri tha se ne si Qeveri e Kosovës mirëpresim diskutimin e hapur të mediave dhe zyrave të komunikimit të qeverive të rajonit në funksionit të forcimit demokracisë dhe lirisë së shprehjes dhe të urave të bashkëpunimit dhe komunikimit mes vendeve të rajonit.
Gjatë këtij takimi, drejtori i Zyrës për Komunikimit me Publikun të Kryeministrisë së Kosovës z.Arianit Bytyçi ka njoftuar që Zyra e Kryeministrit të Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, do të organizojë një Konferencë rajonale për qasjen në dokumente publike.
Nga ana tjetër z.Murat Karakaya, u shpreh i kënaqur me përparimet e Kosovës në fushën e medias dhe komunikimit publik. Ai shprehu gatishmërinë të lartë që bashkëpunimi të avancohet edhe më tej.