Theksohet përkrahja e mëtutjeshme e Zvicrrës për Kosovën
Prishtinë, 1 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar ambasadoren Lang për proceset në Kosovë, forcimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që populli dhe shteti zviceran po japin për Kosovën, në të gjitha aspektet.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit zviceran për Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Lang kanë biseduar edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në shumë fusha ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.