Thaçi: Zhegra do të jetë një nga komunat më afirmative në Kosovë
Gjilan, 14 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit. Në një atmosferë festive në Zhegër, Kryeministri Thaçi i uroi qytetarët e këtij lokaliteti për themelimin e komunës së re.
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komunës së Zhegrës është vendimi juaj, është vullneti juaj, është zemra juaj, është amaneti i dëshmorëve të lirisë, është vizioni i fëmijëve tuaj që Zhegra të jetë Komunë, në mënyrë që të jetë përfituese e drejtpërdrejtë e fondeve nga Qeveria e Kosovës tha me këtë rast Kryeministri Thaçi
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komunës së Zhegrës është vendimi juaj, është vullneti juaj, është zemra juaj, është amaneti i dëshmorëve të lirisë, është vizioni i fëmijëve tuaj që Zhegra të jetë Komunë, në mënyrë që të jetë përfituese e drejtpërdrejtë e fondeve nga Qeveria e Kosovës tha me këtë rast Kryeministri Thaçi.
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ka potencuar se Komuna e Zhegrës do të jetë një nga komunat më afirmative në Republikën e Kosovës, sepse ka mundësi, e ka botën intelektuale, e ka botën e biznesit, e ka bazamentin e fuqishëm për zhvillim
Të jeni të sigurt se nga sot ju për ju dhe Zhegrën, për juve si qytetarë fillon një kapitull i ri, fillon një etapë e re, fillon zhvillimi i Zhegrës së re, fillon zhvillimi i fuqishëm, por edhe mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës, nga sot fillon histori e re për ju. Prandaj, unë ndihem i privilegjuar dhe krenar që jam këtu së bashku me bashkëpunëtorët e mi për të uruar komunën e re tha kryeministri Thaçi.
Gjatë takimit me banorët e Zhegrës, Kryeministri Thaçi ka bërë një ekspoze të të arriturave kryesore të shtetit të Kosovës.
Sot shteti ynë ka hyrë në një fazë të re, atë të konsolidimit dhe forcimit. Kemi arritur mbi 100 njohje të fuqishme ndërkombëtare, kemi hyrë në një proces të sigurt të integrimeve euroatlantike, ku Kosova do të jetë pjesë edhe e NATO-s, edhe e BE-së, edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sot shteti ynë nderohet dhe respektohet nga e gjithë bota demokratike. Kosova është storie e suksesit të plotë ka thënë z.Thaçi dhe ka shtuar:
Në kuadër të këtyre angazhimeve që kemi, ne tash duhet të punojmë edhe më shumë për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të gjithë Kosovës. Jemi në një moment të kthesës së madhe, në një moment që do të reflektohet për të mirë në jetën e çdo qytetari dhe familje kosovare.
Në takimin e sotëm në Zhegër, Kryeministri Thaçi ka përmendur edhe disa nga investimet e Qeverisë së Kosovës dhe të qeverisë komunale të Gjilanit në rajonin e Anamoravës.
Thaçi ka ritheksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta futur në interesin nacional edhe trajtimin e autostradës Ferizaj-Viti-Gjilan, përgjatë Kamenicës, deri te Dheu i Bardhë.
Kryeministri ka potencuar po ashtu se me 1 tetor të këtij viti do të hapet Universiteti Publik i Gjilanit Kadri Zeka, një premtim ky i mbajtur.
Ju me besimin tuaj, keni bërë që ne të investojmë rreth 90 milionë euro, në gjithë territorin e komunës së Gjilanit. Edhe në këta muaj që kanë mbetur, me kryetarin e komunës së Gjilanit, z. Mustafa, jemi duke bërë projekte në kuadër të angazhimeve qeveritare, në nivel qendror dhe lokal, që të investojmë edhe 10 milionë euro më tepër, në mënyrë që të kompletohet investimi për këtë 6 vjeçar, një investim prej 100 milionë eurosh për qytetin e Gjilanit tha kryeministri Thaçi dhe shtoi se:
Janë këto investime në infrastrukturë, në shkolla, në kanalizim, në ujësjellës, në ndërtimin e shtretërve të lumenjve, e shumë e shumë angazhime tjera, të cilat kanë qenë, janë dhe do të mbeten prioritet yni, kanë qenë dhe janë edhe vizion yni. Ne do tju shërbejmë të gjithë juve, nga niveli qendror, edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, si kryeministër i vendit, të gjithë ministrat, edhe autoritetet komunale.
Duke u ndalur në veçanti në investimet që do të vazhdojnë në Zhegër, Kryeministri Thaçi theksoi se në kuadër të angazhimeve të ditëve të ardhshme, në javët e ardhshme, Qeveria e Kosovës ka vendosur për fillimin e shpejtë të ndërtimit të Palestrës Sportive në Zhegër, gjithashtu, edhe për asfaltimin e disa rrugëve në këtë rajon.
Në tubimin e sotëm me qytetarë në Zhegër, Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi lartë figurën dhe kontributin e Heroit të Kosovës, komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani dhe dëshmorëve të lirisë të kësaj ane.
Heronjtë, veteranët dhe të gjithë dëshmorët kanë qenë dhe mbeten burim frymëzimi për ne, frymëzim i punës së përbashkët. Prandaj, unë punoj që busti i Agim Ramadanit të mos jetë vetëm në Zhegër, por të jetë edhe në qendër të Prishtinës, sepse këta janë heronj të gjithë Kosovës tha ish-drejtori politik i UÇK-së, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në takimin në Zhegër, nismën dhe vendimin e Kryeministrit Thaçi për formimin e Komunës së Zhegrës e përshëndetën dhe e vlerësuan lartë ne fjalimet e tyre Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, deputetët Nijazi Idrizi, Zenun Pajaziti, si dhe bashkëshortja e Heroit të Kosovës, Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, e cila i dhuroi kryeministrit një komplet të librave me poezi të Agim Ramadanit.