Thaçi: Zgjedhjet e këtij viti pres të jenë të lira dhe demokratike
Prishtinë, 29 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin në mes të gjithë mekanizmave të sigurisë gjatë procesit elektoral.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike dhe se pret që edhe zgjedhjet e këtij viti të jenë në të njëjtën frymë.
Në takim u bisedua edhe për gjendjen e sigurisë në kontekst të fushatës elektorale dhe u nënvizua nevoja për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve të të gjithë protagonistëve.
Të gjithë ata që e duan Kosovën, janë për proces elektoral të qetë e të suksesshëm, u shpreh Presidenti Thaçi dhe shtoi se është e rëndësishme që të përsëritet mesazhi që Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se organizon zgjedhjet të standardeve më të larta.
Sipas tij, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e standardeve më të larta. Edhe këtë herë kemi siguruar vëzhgues që do të vërtetojnë se procesi elektoral është i këtyre standardeve, u shpreh Presidenti Thaçi.
Bëj thirrje edhe një herë te të gjithë që të angazhohemi për një proces të drejtë, të lirë dhe demokratik, u shpreh Presidenti Thaçi.