Thaçi uron ditëlindjen Adem Demaçit
Prishtinë, 26 shkurt - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, e ka uruar veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçi me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Thaçi në profilin e vet në Facebook, ka shkruar se Demaçi me sakrificën e tij e ka ndritur popullin shqiptar. Sot e festojmë ditëlindjen e 80-të jubilare të Adem Demaçit, heroit të madh kombëtar, ikonës së rezistencës sonë ndaj okupatorit, fituesit të çmimit Saharov për të drejta të njeriut të Parlamentit Evropian.
Ai gjithmonë më parafytyrohet kur i lexoj fjalët e qiririt të Naim Frashërit: Në mes tuaj kam qëndruar, e jam duke përvëluar, që tu jap pakëz dritë, natën tua bëjë ditë. Urime ditëlindjen baci Adem. E ke ndritur një popull të tërë me sakrificën tënde jetësore. Rrofsh përjetësisht sepse Republika jote e Kosovës do të rron mbi supet e tuaja përjetësisht, ka shkruar Thaçi.