Thaçi u shpreh ngushëllim familjes Pista
Prishtinë, 15 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Pista, me rastin e humbjes së jetës së kandidatit për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elvis Pista
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
Të nderuar familjarë të Elvis Pistës,
Me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, që njëherazi ka qenë edhe bashkëpunëtor e mik imi, Elvisit.
Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës tju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të madhe.
Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e
pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen jam vënë në kontakt me institucionet përgjegjëse. Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që të marrin dënimin e merituar.
E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të shëmtuar, që ka tronditur mbarë vendin. Dhe, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë dijeni për rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë që të bashkëpunojnë pa humbur kohë me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend.