Thaçi u dëshiron mirëseardhje ambasadorit te Italisë dhe Sllovenisë
Prishtinë, 11 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese dhe ambasadorin e Sllovenisë, Miljan Majhen, të cilëve u dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Thaçi falënderoi ambasadorët e të dy vendeve për mbështetjen e vazhdueshme që qeveritë e dy vendeve i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, në të gjitha periudhat, njëkohësisht shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit të sotëm me ambasadorët e Italisë dhe Sllovenisë, i njoftoi ata për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe për progresin që ka arritur Kosova në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Kryeministri Thaçi shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të vazhdojë bashkëpunimin me shtetet përkatëse edhe në të ardhmen, në fushën ekonomike, të arsimit, të kulturës dhe në të gjitha fushat e interesit të përbashkët të të dyja vendeve.
Nga ana e tyre ambasadori i Italisë, Andreas Ferrarese dhe ambasadori i Sllovenisë, Miljan Majhen, e falënderuan kryeministrin Thaçi për pritjen dhe për rolin e tij konstruktiv në të gjitha proceset me rëndësi për Kosovën, veçanërisht në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.