19 Janar 2025

Thaçi: Të hyrat doganore të veriut, shfrytëzohen për investime publike

Prishtinë, 29 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar rregullore, vendime, raporte dhe dokumente tjera nga përgjegjësit e saja kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi,ka deklaruar se të hyrat e grumbulluara përmes doganimit të mallrave në pjesën veriore të vendit, do të shfrytëzohen për investime publike, për përmirësimin e sistemit edukativ në vend, për përmirësimin e shërbimeve publike dhe në përgjithësi në përmirësimin e  mirëqenies së të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës.

 
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij të hapjes, është ndalur në shqyrtimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2014-2018 dhe plani të veprimit të kësaj strategjie.

 
Në shqyrtimin e kësaj strategjie, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë:

“Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin 2014, ka përcaktuar prioritet luftimin e kësaj dukurie dhe shumë dukurive tjera negative që kanë ndikim negativ në ekonominë e vendit tonë.

 
Pas një pune të palodhshme të institucioneve tona, përkatësisht ministrisë së Financave, Doganës së Kosovës, Administratës Tatimore, Njësisë së Inteligjencës Financiare, ministrisë së Integrimit Evropian dhe institucioneve të tjera me përkrahje të BE-së, kemi hartuar Strategjinë Kombëtare për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe krimin financiar për periudhën 2014-2018, si dhe planin e veprimit për zbatimin e suksesshëm të saj.
 

Me këtë rast, më lejoni të falënderoj publikisht shoqatat e komunitetit të biznesit, shoqërinë civile dhe mekanizmat tjerë të rëndësishëm në vendin tonë për kontributin e dhënë me qëllim të hartimit të një dokumenti strategjik të implementueshëm, i cili adreson problemet, mangësitë dhe identifikon instrumentet për luftimin e këtyre fenomeneve negative në vendin tonë.
 

Implementimi i suksesshëm i marrëveshjeve të Brukselit, është duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejt, në lëvizjen e lirë të qytetarëve, si dhe në kontekstin ekonomik, në shtrirjen e kompetencave në veri të vendit përmes funksionalizimit të pikave doganore në Jarinjë dhe Bërnjak.

 
Ne jemi dëshmitarë që deri para fillimit të implementimit të marrëveshjes në fjalë, këto pika doganore nuk kanë kontribuar në buxhetin e shtetit, përmes grumbullimit të tatimeve përkatëse, situatë e cila ka ndikuar ne evazionin fiskal dhe në përgjithësi në ekonominë joformale në vend.

 
 
"Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që pamundësia e vendosjes së kontrollit dhe vendos obligimet tatimore për mallrat të cilat që kanë qarkulluar përmes pikave doganore në pjesën veriore të vendit deri në momentin e arritjes së marrëveshjes në fjalë; ka rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve, ka kontribuar në krijimin e konkurrencës jolojale, si dhe në reduktimin e të hyrave për buxhetit e shtetit", ka pohuar ai.

 
Implementimi i Kushtetutës dhe ligjeve në pjesën veriore të vendit, do të kontribuojë në integrimin e plotë politik, ekonomik, kulturor dhe social të vendit tonë.

 
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale në vend, përkundër faktit që ky fenomen negativ konsiderohet sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera të rajonit dhe më gjerë.

 
Programi ynë ekonomik është orientuar drejt zbatimit të parimeve fondamentale të ekonomisë së tregut, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend, rritje ekonomike më të lartë në krahasim me vendet e rajonit, krijimin e vendeve të reja të punës, gjithmonë duke pasur parasysh stabilitetin financiar dhe makrofiskal.

 
Ne jemi dëshmitarë të sfidave në fushën e ekonomisë, me të cilat janë duke u ballafaquar jo vetëm vendet e rajonit, por edhe në eurozonë.
 

Ne konsiderojmë që bartës të zhvillimit ekonomik përmes rritjes së prodhimit të brendshëm dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duket të jetë sektori privat.

 
Përderisa shteti përmes institucioneve ekzekutive, ligjvënëse dhe gjyqësore duhet të krijojë dhe zbatojë bazën ligjore dhe rregullative, krijoj parakushte për konkurrencë të barabartë dhe lokale në treg, sigurojë që një rend kushtetues dhe juridik është duke funksionuar, të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë para ligjit, duke ofruar drejtësi dhe shpejtësi në zgjidhjen e kontekstit, e veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare, në mënyrë që sektori privat të fokusohet në zhvillimin e ideve biznesore.
 

Qeveria përmes buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014, ka adresuar këto sfida dhe në të njëjtën kohë ka reflektuar nevojat për zbatimin e suksesshëm të prioriteteve të përcaktuara për vitin 2014.

 
Ekonomia është shtylla më e rëndësishme për secilin shtet. Prandaj, do të vazhdojmë angazhimin tonë edhe më shumë.

 
Ju ftoj të gjithëve për një bashkëpunim më të ngushtë me qëllim të implementimit të gjithë që i kemi vënë para nesh”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij.

 
Në mbledhjen e sotme, Kryeministri Hashim Thaçi ka njohur kabinetin edhe me takimin e fundit që ka zhvilluar ne Bruksel me kryeministrin e Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Baronesha Catherine Ashton. Kryeministri ka theksuar se është diskutuar për dy çështje: për funksionimin e drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës në veri dhe për zgjedhjet që do të përsëriten në komunën e Mitrovicës së Veriut.

 
Në vazhdim të  mbledhjes është aprovuar Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2014-2018. Qëllimet, objektivat dhe veprimet e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit 2014-2018 janë të bazuara në Vlerësimin Kombëtar të rrezikut 2013. Këto dokumente të politikave përbëjnë një mekanizëm të menaxhimit të rrezikut për rreziqet e nivelit kombëtar të ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare në Kosovë. Qëllimi kryesor i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të saj të Veprimit 2014-2018 është të mbështes arritjen e objektivave të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2011-2014 që janë:

1. Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik;

2. Qeverisje e mirë dhe fuqizim i Sundimit të Ligjit;

3. Zhvillim i kapitalit njerëzor;

4. Mirëqenia sociale.

 
Arritja e këtyre objektivave të nivelit kombëtar kërkon parandalim efikas të ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare. Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit 2014-2018 janë gjithashtu duke mbështetur Kosovën në përmbushjen e angazhimeve në procesin e stabilizimit- asocimit dhe të pranimit në BE.

 
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është miratuar Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo rregullore përcakton organizimin e brendshëm të ministrisë dhe organet tjera administrative nën mbikëqyrjen e saj.

 Qeveria ne mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Rregulloren për Koordinimin në mesë të Institucioneve të Republikës së Kosovës për Deminimin Humanitar. Kjo rregullore përcakton koordinimin dhe shkëmbimin e informacioneve në mesë të institucioneve të Republikës së Kosovës lidhur me të gjitha operacionet e deminimit humanitar.

 Kabineti qeveritar ka miratuar edhe  rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për funksionimin e fondit për kuadro. Neni 6 i kësaj rregullore që përcakton përbërjen dhe përgjegjësitë e Komisionit të Fondit për Kuadro, ndryshohet dhe riformulohet si vijon:
 

Komisioni i Fondit për Kuadro përbehet nga:

1. Ministri/ja i/e Administratës Publike (Kryesues/e);

2. Ministri/ja i/e Drejtësisë;

3. Ministri/ja i/e Financave;

4. Ministri/ja i/e Integrimeve Evropiane;

5. Ministri/ja i/e Tregtisë dhe Industrisë.

 
Është miratuar edhe Rregullorja për  plotësim dhe ndryshimin e rregullores për shërbimin e jashtëm. Kjo rregullore ka për qëllim rregullimin e dispozitave në të cilat kanë hasur vështirësi gjatë zbatimit të Rregullores bazë. Dispozitat e kësaj  Rregulloreje  zbatohen për të gjitha Institucionet përgjegjëse në zbatimin e veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.
 

Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, sipas kërkesës së Kuvendit të Kosovës, sipas nismës së një grupi deputetësh. Ndryshimet përfshijnë heqjen e pikës 1.6 të nenit 177 dhe pikës 1.2 të nenit 178.

 
Vendimi për ndryshimet në Tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.
 
Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për autorizimin e ministrit të Financave që të aprovojë transfero nga programi i shpenzimeve të paparashikueshme për shumat e kërkuara individuale të kërkuara deri në vlerën 20.000 euro. Shuma totale e këtij autorizimin nuk mundë të kalojë në total njëzetë përqind të shumës vjetore të programit të shpenzimeve të paparashikuara.
 
Qeveria ka shqyrtuar edhe Raportin preliminar për buxhetin e viti 2013. Sipas këtij raporti, të hyrat buxhetore në vitin 2013, duke mos përfshirë grandet e donatorëve dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 1,427.9 milion Euro. Shpenzimet buxhetore gjatë këtij viti, duke mos përfshirë grandet e donatorëve dhe fondet e mirëbesimit, kanë qenë 1,500.3 milion Euro. Grandet e donatorëve, të pranuara gjatë viti 2013 dhe të bartura nga viti 2012, janë në shumën 24,65 milion Euro. Gjendja e parasë së gatshme me 31.12.2013, në llogarinë bankare të Buxhetit të Republikës së Kosovës ka qenë 210.9 milion Euro.

 Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, Ndërmarrjeve të Energjisë ju jepen të drejtat e servitutit dhe të drejtat e tjera pronësore, për 99 vite, në pronat ku janë të vendosura stabilimentet energjetike, për të cilat prona kanë siguruar formalisht të drejtat pronësore.

 Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Planin e Veprimit për Zbatimin e Rezolutës 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria për vitin 2013-2016”. Plani siguron:

 
Promovimin dhe zbatimin e Rezolutës së OKB-së 1325 në Kosovë;

Përmes masave dhe veprimeve, Kosova do të kontribuojë në zbatimin e Rezolutës 1325 në nivel lokal, rajonal dhe global;
Koordinim i veprimeve të përbashkëta të shtetit, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit për të zbatuar Rezolutën 1325 dhe programet  tjera që promovojnë çështjen gjinore në Kosovë;
    Krijimin e një premisë të re për fuqizimin dhe promovimin e të drejtave njerëzore të grave;
    Integrimin e çështjeve gjinore në sektorin e sigurisë;
    Krijon mundësi për të promovuar „të drejtën tranzicionale” në Kosovë;
    Plani do të hap rrugë për shkëmbimin  e eksperiencave që vendet e ndryshme kanë në zbatimin e Rezolutës, për kontributin e grave në çështjet e paqes dhe sigurisë;
    Plani fokuson vëmendjen e shoqërisë dhe angazhimin e institucioneve për zbutjen  dhe eliminimin e pasojave të luftës në Kosovë.
    Plani bënë të mundur që nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta si: debate publike, fushata sensibilizuese, tryeza të rrumbullakëta dhe forma të tjera të informimit publik, të promovojë Rezolutën 1325 në Kosovë.

 
Me propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që çështjet që ndërlidhen me “Trepçën” të trajtohen përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, jo siç ishte rekomanduar më herët për hartimin e një ligji te veçantë për “Trepçën”.
 

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka prezantuar një kërkesë të komunës së Mitrovicës për definimin e pronës që kjo komunë dëshiron të ofrojë një investitori japonez për ndërtimin e një kapaciteti prodhues të kërpudhave. Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë të shqyrtojë çështjen dhe sipas nevojës t’i sugjerojë Qeverisë së Kosovës miratimin e vendimit të nevojshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)