Thaçi takon Ndihmës Sekretaren Amerikane Nuland
Prishtinë, 13 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland.
Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve.
Kryeministri Thaçi në takimin Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland theksoi se zhvillimi i procesit zgjedhor të 8 qershorit dëshmoi se Republika e Kosovës kaloi me sukses të plotë edhe një test të demokracisë, duke organizuar zgjedhje fer, të lira dhe demokratike, që u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.
Tani pas përmbylljes së procesit zgjedhor, me përkushtimin më të lartë institucional dhe politik po punojmë për implementimin e rezultatit zgjedhor, duke formuar institucionet e reja demokratike, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Në këtë proces, besoj se i gjithë spektri politik i Kosovës do të reflektojë seriozitetin dhe pjekurinë e lartë politike theksoi Kryeministri Thaçi.
Në takimin e sotëm, Kryeministri Thaçi e njoftoi znj.Nuland edhe me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e reformave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Në kuadër të këtij angazhimi, do të vazhdojmë në mënyrë të veçantë të fokusohemi në fushën e energjisë, atë të turizmit dhe në fusha tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, - theksoi Kryeministri Thaçi.
Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të këtij procesi ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera sektoriale, të arritura mes dy vendeve.
Në këtë proces, janë arritur rezultate konkrete, por ka edhe ngecje në implementim nga ana e Serbisë, por besoj se me mbështetjen e SHBA-ve dhe të BE-së, këto ngecje do të tejkalohen dhe do ta përmbyllim suksesshëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende të pavarura dhe sovrane, tha z.Thaçi.
Kryeministri Thaçi e siguroi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland për vazhdimin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe potencoi se me frymën konstruktive të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të mund të arrihet integrimi i plotë i rajonit në BE dhe në NATO.
Kryeministri Thaçi në takimin që zhvilloi sot me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për Republikën e Kosovës në të gjitha periudhat.
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ritheksoi se Qeveria e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të përhershme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.