Thaçi: Synimi dhe vizioni ynë është të integrohemi në NATO dhe BE
Prishtinë, 25 qershor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryesuar nga Hugh Bayley, President i Asamblesë.
Kryeministri Thaçi siguroi z.Bayley dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s se Republika e Kosovës do të vazhdojë rrugën euroatlantike, duke vazhduar punën për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, dhe ndërtimin e shoqërisë multietnike. Natyrisht qëllimi, synimi dhe vizioni ynë është që të integrohemi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por si parakusht është fqinjësia e mirë tha z.Thaçi
Duke folur për frymën e bashkëpunimit rajonal, për të cilën është e përcaktuar Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryeministri Thaçi theksoi:
Ne kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjithë fqinjët, dhe jemi në një proces dëshmues të kësaj fqinjësie edhe me Serbinë. Jemi optimist se do të mund të bëjmë progres në këtë drejtim. Kthim prapa nuk do të ketë- ka thënë kryeministri Thaçi në takimin me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në këtë takim Kryeministri Hashim Thaçi u përgjigj edhe në interesimin e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s lidhur me politikën e jashtme, bashkëpunimin rajonal dhe për politikën e sigurisë të Kosovës.
Kryesuesi i nën-komisionit për Mbrojtjen Transatlantike dhe Bashkëpunim për Siguri, Sverre Myrli, përfaqësues i Norvegjisë, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në takimin me Kryeministrin Thaçi theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet ta trajtojë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Jam i habitur për të mirë për arritjet e Kosovës 15 vite pas luftës tha z.Myrli.