28 Prill 2024

Thaçi: Sulmet e ekstremistëve ndaj KFOR mbeten të dënueshme

Prishtinë, 28 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi, në mbledhjen e 39-të të Qeverisë ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në kuadër të mbajtjes së Sesionit Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka zhvilluar takime të shumta me udhëheqës të lartë të shumë shteteve të botës. 

“Dëshiroj të theksoj se pjesëmarrja jonë në këto takime, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar liderë nga e gjithë bota. Kosova që nga shpallja e pavarësisë, vazhdimisht ka qenë dhe është e pranishme në OKB, edhe gjatë këtij viti ne kishim në javë të ngjeshur me plotë takime, me një mbështetje edhe më të fuqishme për  Kosovën”, theksoi Thaçi.

Ai ka veçuar takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i cili përshëndet progresin e arritur në Kosovë, pastaj Sekretarën amerikane të shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton, gjithashtu edhe me baroneshën Ashton, me kryeministra të ndryshëm dhe liderë të tjerë botërorë, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. 

“Mund të them se në të gjitha këto takime kemi marrë një mbështetje të fuqishme për shtetin e  Kosovës, të vendeve që kanë njohur Kosovën dhe atyre që janë në procesin e njohjes.  Është konfirmuar mbështetja për Kosovën për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në  veriun e vendit dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në OKB”, theksoi kryeministri Thaçi. 

Duke folur lidhur me zhvillimet në veri të Mitrovicës, Thaçi ka thënë se barrikadat dhe sulmet e ekstremistëve ndaj KFOR-it  dhe EULEX-it, nga ana e Qeverisë do të mbeten të dënueshme. 

Kryeministri Thaçi edhe një herë u ka bërë thirrje  qytetarëve atje që të tregojnë vullnetin e  mirë, për bashkëpunim, integrim, për ndërtimin e Kosovës së re të përbashkët. KFOR-i dhe EULEX janë në shërbim të të gjithë qytetarëve e jo vetëm të një etnie. Qeveria do bëjë gjithçka të ju ofrojë një jetë të mirë të gjithë qytetarëve përfshirë edhe veriun. 

“Ne do vazhdojmë të ju shërbejmë të gjithë qytetarëve, tu përgjigjemi kërkesave të tyre, po natyrisht duke kërkuar rend dhe ligj”, pohoi Thaçi duke shtuar se Prishtina mbetet e përkushtuar për vazhdimin dialogut në Bruksel.

"Qëndrimet tona janë të qarta, janë zgjidhje evropiane por natyrisht nuk do ketë rikthim të gjendjes së para 25 korrikut. Ne do të vazhdojmë me dialogun me çështjet që janë në agjendë, energjia, telekomunikacioni, dhe aspektet tjera. Qeveria nuk do kursejë asgjë, që të jemi sa më afër të qytetarëve në veri të Mitrovicës.  Angazhimet tona do jenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar me EULEX- in, NATO-n BE-në dhe SHBA” – u shpreh kryeministri Hashim Thaçi.     

Në vazhdim Qeveria sot ka miratuar Projektligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, sponzoruar nga Ministria e Drejtësisë.

Është miratuar kërkesa e komunitetit boshnjak të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare prej 30 mijë euro për organizimin e festës zyrtare të komunitetit boshnjak.

Qeveria sot ka marrë vendim për emërimin e kryeshefit ekzekutiv në Agjencinë për administrimin e pasurisë së sekuestruar, kryeshefit ekzekutiv për Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, kryeshefit ekzekutiv në Entin e Statistikave të Kosovës, dhe kryeshefit ekzekutiv në Institutin Kosovar për Administratë Publike. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)