Thaçi sot raporton në Kuvend për takimin me Daçiçin
Prishtinë, 28 shkurt - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën e radhes në të cilen do të raportoj, kryeministri Hashim Thaçi lidhur me takimin e tij, të pestë, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel i cili u mbajt me ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë të Unionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Ashton.
Në të njëjtën seancë do të zhvillohet debat parlamentar për kompensimin e pensionistëve për kontributet e dhëna deri në vitin 1999, debat ky i kërkuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.
Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të dytë i Projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional; do të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Mediave (Komisioni duhet të përbëhet prej 9 anëtarëve: PDK-2, LDK-2 ,VV-1, AAK -1, KKR-1, SLS-1 dhe 6+ 1); kurse deputetët do të njoftohen me qëndrimin e Grupit Parlamentar 6+ lidhur me marrëveshjen për ndërrimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, si dhe kërkesat e disa deputetëve nga komunitetet tjera, jo shumicë, për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit nga radha e tyre.
Edhe në këtë seancë të rregullt të Kuvendit të Kosovës, si rëndom, deputetët do të ngritin çështje jashtë rendit të ditës dhe do të shtrojnë pyetje parlamentare për kabinetin qeveritar.