Thaçi sot në interpelancë për veriun
Prishtinë, 27 tetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi sot do të përballet me deputetët e Kuvendit të Kosovës në interpelancën lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të vendit.
Kryesia e Kuvendit gjithashtu ka vendosur që më 8 nëntor të mbahet edhe debati parlamentar për Raportin e Progresit 2011 kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi paralajmëroi datat e mbajtjes seancave ndërsa sa i përket veriut, shtoi se legjislativi e ka kryer punën e tij me rezolutë.
Glauk Konjufca anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga Vetëvendosje tha se interpelanca është kërkuar pikërisht për shkak të neglizhencës që qeveria e ka ndaj çështjes së veriut dhe rrezikut që të negociohet për atë pjesë. Ai tha se interpelanca parashikon edhe votimin e një mocioni.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri pati kritika sa i përket veriut, por ai më shumë kritikoi shtyrjen e debatit parlamentar për Raportin e Progresit për muajin e ardhshëm për shkak të mungesave të ministrave.