Thaçi sot në interpelancë për bisedimet me Serbinë
Prishtinë, 5 maj - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në seancën e Kuvendit do të paraqitet në interpelancë lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e fundit e cila ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjet plenare të 5 dhe 6 majit.
Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Vetëvendosje!-s, thërret në interpelancë parlamentare Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për të informuar Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, për procesin e bisedimeve me Serbinë.
Në të njëjtën seancë, ndërkaq do të shqyrtohet Raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2010, si dhe do të procedohet me pikat e përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.