Thaçi: Si popull duhet të reflektojmë mbi paqen
Prishtinë, 21 shtator - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e vet në Facebook ka shkruar për Ditën Ndërkombëtare të Paqes, e cila shënohet sot në mbarë botën.
Ai ka thënë se si popull duhet të reflektojmë mbi paqen. Sot është Dita Ndërkombëtare e Paqes, e cila shënohet anembanë botës për të dhënë mesazhe paqeje, solidariteti dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve. Ne si popul,l që ende kemi plagë të hapura nga lufta, e dimë më së miri se sa e shtrenjtë është paqja, prandaj le të ndalemi një moment e të reflektojmë mbi ato vlera që kultivojnë dhe forcojnë paqen. Le të na shërbejë kjo ditë për tu vetëdijesuar për nevojën që kemi për të refuzuar dhunën, jotolerancën, diskriminimin, gjuhën e urrejtjes e të tjera sjellje të ngjashme të dëmshme që kërcënojnë paqen dhe harmoninë mes nesh. Në këtë ditë po ashtu kujtojmë me dhembshuri e keqardhje të gjithë ata njerëz që gjenden në mes të flakëve të luftës, në Lindje të Mesme, Afrikë e kudo tjetër, duke shpresuar që vuajtjet e tyre të marrin fund sa më shpejt dhe paqja të kthehet e të mbretërojë në vendet e tyre, ka shkruar Thaçi.