Thaçi: Shteti me Forcat e Armatosura të Kosovës
Prishtinë, 17 shkurt - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur fjalë në parakalimin e efektivëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, që është organizuar për nderë të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaçi, në parakalimin për nderë të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës
E nderuara Presidente e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga
Të nderuar ushtarë dhe oficerë të FSK-së
Të nderuar ambasadorë
E nderuara ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Jakobson
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, para nesh është e rreshtuar dhe e gatshme për parakalim Forca e Sigurisë së Kosovës, për të shënuar solemnisht gjashtë vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë të lirë dhe demokratik.
Prandaj është nder dhe privilegj që tju drejtohem në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për tua uruar këtë ditë për të cilën secili prej jush keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.
Njëkohësisht dua tju falënderoj çdo njërin prej jush për shërbimin e përkushtuar, për dedikimin, profesionalizmin dhe ndjenjën e detyrës që secili e bartni më vete.
Të nderuar ushtarë dhe oficerë të FSK-së,
Institucioni që përfaqësoni ju është treguesi më i mirë i forcimit dhe konsolidimit të shtetit tonë të ri,.
Ju keni kaluar nëpër disa faza të rëndësishme, gjithnjë duke ruajtur kontinuitetin, qëllimin dhe arritjet strategjike në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe mbrojtjes së vendit tonë.
Prandaj, e themi me krenari, se Forca e Sigurisë së Kosovës është vërtet një storie e suksesshme e ndërtimit dhe ngritjes së një institucioni të rëndësishëm të Kosovës.
Shumica nga ju keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Keni dhënë kontribut të vlerësuar dhe pranuar botërisht në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertët e shteteve mike të Kosovës, me ekspertët e NATO-s dhe të KFOR-it.
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran gjashtë vjet më parë krijoi kushte që TMK-ja të hyjë në një fazë të re.
Që nga janari i vitit 2009, Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua si forcë e sigurisë profesionale, e armatosur, e uniformuar dhe me përbërje multietnike.
Zhvillimi, strukturimi dhe organizimi i FSK-së që prej fillimi është bazuar në praktikat më të mira të shteteve të demokracisë së zhvilluar.
Kosova, ndërkaq, ka hapur perspektivë të gjithanshme, duke shënuar të arritura në planin e brendshëm të zhvillimit ekonomik, por edhe në atë diplomatik.
Kosova ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e pavarësisë, është bërë anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe tashmë njihet nga 106 shtete.
Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e parakushteve për integrime evropiane.
Që nga themelimi i FSK-së kanë kaluar pesë vite, dhe bashkë me zhvillimin dhe forcimin e shtetit tonë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur, zhvilluar dhe është bërë më e fortë dhe më profesionale.
Deri tani Forca e Sigurisë së Kosovës ka kryer operacione të kërkim shpëtimit, asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera, zjarr fikjes dhe detyrat të tjera të caktuara të asistencës humanitare.
Forca e Sigurisë së Kosovës mund të krenohet me shumë arritje të realizuara brenda mandatit të saj të tanishëm.
Por, tash është koha të vazhdojmë tutje.
Tash është koha kur ne duhet të marrim përgjegjësinë e plotë për sigurinë e shtetit tonë.
E kjo do të nënkuptojë ndryshime të rëndësishme në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e saj.
Kjo do të thotë - një emër i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Të nderuar oficerë të FSK-së,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Kjo është parada e fundit e nderimit të Ditës së Pavarësisë, ku ne e shohim parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm.
Na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Pra, një kohë shumë e shkurtër na ndan nga forca e re cila do ti ketë kapacitetet e mbrojtjes dhe do ta ketë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen ashtu që të janë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Forcat e Armatosura të Kosovës do ti mbrojnë interesat e Kosovës, qytetarët e saj dhe pronën e tyre.
Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global.
Aftësia që ne vet ta mbrojmë vendin tonë dhe ti plotësojmë nevojat tona të sigurisë është, po ashtu, parakusht për integrimin e suksesshëm të Kosovës në strukturat Euroatlantike.
Që nga themelimi i FSK-së ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme, prandaj sot edhe njëherë si kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ju uroj dhe përgëzoj, për punën tuaj të jashtëzakonshme.