Thaçi: Serbia ti inkurajojë serbët për pjesëmarrje në zgjedhje
Prishtinë, 26 gusht - Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar akte dhe dokumente nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka theksuar se delegacioni i Kosovës sot do të udhëtoj për në Bruksel, për të vazhduar nesër takimet në nivel kryeministror në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Në takim do të diskutohen çështjet që kanë mbetur për implementim nga marrëveshja e 19 prillit të këtij viti. Ndërsa, do të diskutohet që të përmbyllet sa më shpejt edhe çështja e telekomunikacionit dhe energjisë dhe disa aspekte nga fusha e drejtësisë.
Të them shumë hapur, sa i përket tri çështjeve që i potencova, Kosova i ka përmbyllur obligimet e veta, i ka kryer me kohë, në afat rekord të gjitha obligimet, i ka kryer sipas standardeve evropiane dhe Marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel. Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i baroneshës Ashton, ka qenë i qartë: kjo zvarritje dhe vonesë ka ndodhur nga neglizhenca dhe hezitimi i Beogradit është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Sa i përket zgjedhjeve, ne do të diskutojmë që edhe Serbia ti inkurajojë serbët për pjesëmarrje në zgjedhje. Dhe në të njëjtën kohë, përsëri, megjithëse janë bërë të shpeshta, por nuk do të ndalemi së inkurajuari për serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, që ata të respektojnë afatin e rregullt kohor për regjistrimin e partive politike, lëvizjeve qytetare apo kandidatëve të pavarur ka thënë kryeministri.
Ndërsa sa i përket zhurmës që është bërë për logo, Qeveria e Kosovës, delegacioni i Kosovës, nuk e ka ndonjë mandat sa i përket kësaj çështje. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe është në autoritetin e plotë të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës, ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike. Kështu që, kjo çështje nuk shtrohet për diskutim në Bruksel, dhe nuk është as në autoritetin e Qeverisë së Kosovës që të merr ndonjë vendim. Ne vetëm respektojmë vendimet e institucionit të pavarur të KQZ-së ka deklaruar kryeministri Thaçi dhe ka theksuar se Qeveria e Kosovës do ti jap mbështetje të plotë të gjitha vendimeve që i merr Komisioni Qendror Zgjedhor.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin e plotë se gjatë ditëve në vijim Qeveria e Kosovës dhe spektri politik do ti kryej të gjitha obligimet, duke e theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të gjitha institucionet e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim etnik.
Janë zgjedhje që do të shënojnë një kapitull të ri për Kosovën, një kapitull definitivisht të suksesit, sepse do të organizohen zgjedhjet për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet. Këtë përkushtim tonin do ta prezantojmë edhe në Nju Jork, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hyrjes.
Kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar se pas Brukselit Delegacioni i Kosovës do të udhëtojë për në Nju Jork, ku në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, që do të zhvillohet të enjten do të prezantohet progresi i arritur i Kosovës në këta tre-katër muajt e fundit.