Thaçi: Së shpejti do të hapim në Athinë Zyrën ndërlidhëse të Kosovës
Prishtinë, 19 shkurt Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot zëvendëskryeministrin dhe ministër i punëve të jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos. Pas takimit, kryeministri Thaçi dhe zëvendëskryeministri grek, Venizelos, në një konferencë të përbashkët u deklaruan para mediave.
Thaçi në konferencën për media, pas takimit me Zëvendëskryeministrin dhe ministër i punëve te jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos, ka falënderuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek, shtetin grek, qytetarët grekë, për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë Kosovës në këtë proces të tranzicionit demokratik, në këtë proces të perspektives së sigurtë euroatlantike.
\"Falënderoj shtetin grek për prezencën e trupave të tyre në kuadër të KFOR-it, dhe rotacioni që kanë ushtruar këta ushtarë grek në Kosovës, gjithashtu edhe me prezencën e ekspertëve, njerëzve tjerë grek në EULEX, në OSBE dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë\", ka theksuar ai.
\"E informova zëvendëskryeministrin e Greqisë për progresin e arritur në Kosovë, për reformat demokratike që jemi duke bërë, qoftë në politikë, ekonomi apo legjislacion, për agjendën tonë evropiane, për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e stabilizim-asociimit\", ka pohuar ai.
Ai ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e plotë greke, gjithashtu edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për marrëveshjen e 19 prillit, për hapat që po i ndërmarrim për implementimin e asaj marrëveshje dhe për marrëveshjen e arritur në princip për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në veri.
\"Shpresoj që ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa ne do të hapim së shpejti në Athinë edhe zyrën ndërlidhëse në mënyrë që të kemi një komunikim edhe më të shpejtë, më të shpeshtë, më produktiv, por edhe të kemi prezencën e shumë investitorë grekë në Kosovë, që kanë pasur sukses të plotë. Dhe, ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë bilateral në mes të Kosovës dhe Greqisë\", ka pohuar ai.