Thaçi: Ratifikimi i demarkacionit, jetik për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 1 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se debati rreth kufijve të Republikës së Kosovës me Malin e Zi është një temë e nevojshme për rritje të transparencës para qytetarëve. Sipas tij, ky debat u është mohuar padrejtësisht qytetarëve të Kosovës tash e një vit.
Ftoj dhe besoj që ky debat të sjellë më tepër unitet politik dhe qytetar. Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston. Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës duhet ta përmbushë këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në Facebook. Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me Malin e Zi.
Kjo ka rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi vitin e kaluar. Të gjitha referencat faktike dhe juridike tregojnë qartazi se me këtë marrëveshje Republika e Kosovës nuk humb asnjë pëllëmbë të territorit të saj. Burimi i dokumentacionit është në vazhdimësi dhe zyrtar nga viti 1974, 1988, 2008 e deri më 2015, ka thënë ai. Thaçi ka shtuar se ratifikimi i marrëveshjes së kufirit shtetëror mes dy vendeve tona është në interesin e dy vendeve dhe popujve tanë, të fqinjësisë së mirë, frymës euroatlantike, si dhe është jetik për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.