Thaçi raporton sot në Kuvend për marrëveshjen me Serbinë
Prishtinë, 21 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi raporton sot në Kuvend lidhur me marrëveshjen për normalizim më mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë e cila është nënshkruar me 19 prill.
Kryeministri Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diel, duke filluar nga ora 20:00.
Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës , si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel.
Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013.