Thaçi: Radhët e opozitës po rrallohen
Prishtinë, 19 nëntor - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka thenë se opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se sot tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë.
Thaçi, ka reaguar pas vendimit të opozitës se për mos mbajtjen e protestave për ditën e sotme, ashtu siç u paralajmërua në mëngjes.
\"Natyrisht, nuk harruan të bëjnë kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale. Opozita sot vendosi të mos vazhdojë shkatërrimin e institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, jo për shkak se e kanë kuptuar se sa të dënueshme janë veprimet e tyre të dhunshme, shkruan Thaçi në Facebook.
Ata, sipas tij, sot po pushojnë për të blerë kohë që të gjejnë njerëz të tjerë të dhunshëm kudo që munden sepse radhët e tyre po rrallohen.
Por, kjo nuk e befason askënd. Të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të bashkuar po dënojnë dhunën e shfrenuar të opozitës për marrjen e pushtetit. E gjithë bota demokratike, SHBA-ja dhe BE-ja i dënojnë dhunën dhe metodat e dhunshme. Prandaj, nuk është e rëndësishme se çfarë strategjie përdorë ky grup i dhunshëm, shkruan më tej ai.
Ata mund të tërhiqen sot, por Thaçi thotë se qytetarët dhe institucionet shtetërore nuk do të tërhiqen kurrë sepse me asnjë çmim nuk do të lejojmë shkatërrimin e shtetit nga një grup opozitar i dhunshëm.