Thaçi: Qytetarët e dinë që PDK-ja është alternativa më e mirë
Prishtinë, 31 maj - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, sot në mëngjes takoi të gjithë kryetarët e degëve për të biseduar mbi ecurinë e fushatës. Lideri i PDK-së shprehu mirënjohje për angazhimin dhe punën e mirë që po bëjnë kryetarët e degëve në terren dhe për mobilizimin masiv nëpër lokalitetet e tyre.
Thaçi theksoi se Misioni i Ri për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja ka marrë përkrahje të fuqishme te populli i Kosovës, sepse më së miri adreson nevojat dhe aspiratat e tyre. Pasi kemi mbjellur dhe kultivuar gjithë këtë mbështetje dhe mirëbesim në publik për Misionin e Ri është në dorën tonë që të korrim sukses, duke nxitur daljen në votim të simpatizantëve të shumtë që kemi, të cilët tashmë janë të bindur që PDK-ja është alternativa më e mirë në këtë garë zgjedhore, tha Thaçi.
Ai kërkoi gjithashtu nga kryetarët e degëve që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të organizuar një proces zgjedhor sa më të qetë, rigoroz dhe transparent më 8 qershor. Të gjitha palët e përfshira duhet të tregojnë maksimumin e përkushtimit dhe përkujdesjes, që ne të kemi zgjedhje sa më të mira dhe të ndershme, tha Thaçi.
Sipas tij, këto zgjedhje janë vendimtare për konsolidimin e mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës, për ecurinë e Kosovës në procesin e integrimeve Euro-Atlantike dhe për përmirësimin e imazhit të Kosovës në nivelin ndërkombëtar.