Thaçi: Qeveria do të ndërtohet duke respektuar vendimet e Gjykatës
Prishtinë, 28 tetor - Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë së zgjedhjet e 8 qershorit ishin fer, të lira, demokratike dhe transparente, ndërsa PDK shënoi fitore të pastër, bindëse dhe spektakulare.
\"Zgjedhjet e 8 qershorit ishin fer, të lira, demokratike dhe transparente. Këto zgjedhje u organizuan për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. U shënua sukses historik për shtetin tonë të ri. Institucionet qendrore dhe lokale po shtrinin autoritetin shtetëror në gjithë territorin. Sovrani, populli foli dhe u deklarua lirshëm\", thekson ai.
Ashtu siç pritej sipas tij Partia Demokratike e Kosovës shënoi fitore të pastër, bindëse dhe spektakulare.
\"Por, fat të keq për vendin dhe qytetarët, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve, ndërtimi i institucioneve mbahet i bllokuar. Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira, ka mbaruar përgjithmonë.\"
\"Qeveria e re e vendit do të ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor te 8 qershorit dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kosovës i duhen institucione stabile, efektive dhe shumë përfshirëse të fokusuar në krijim të vendeve të reja të punës\'\', shkrun Thaçi .