Thaçi: Procesin nuk mund ta shpallim të dështuar
Prishtinë, 3 prill - Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të shpallet as i mbyllur as i dështuar. Kështu tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë për media pas arritjes nga Brukseli, ku një ditë më pari pati një takim të gjatë dhe të vështirë me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton.
Ai tha se arritja e marrëveshjes varet vetëm nga Serbia, sepse Kosova ka qenë dhe është e gatshme për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.
Me qëndrimin e harmonizuar me qëndrimin e BE-së, me gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe me vendosmërinë për shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e Kosovës, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është paraqitur mjaft komod në konferencën për media pas arritjes nga Brukseli.
E ka pranuar se ka pasur një përballje të vështirë me palën serbe në këtë takim, por ka thënë se argumentet e palës së Kosovës kanë qenë vetëm të mbështetura në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Kryeministri Thaçi tha se dialogu nuk mund të quhet i dështuar e as i përfunduar.
Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, procesin nuk mund ta shpallim si të mbyllur apo të dështuar. Shpresojmë se Serbia do të pranojë realitetin dhe me këtë edhe marrëveshjen, tha ai.
Kryeministri Thaçi tha se Kosova qysh tani e ka përgjigjen për shefen e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, por mbetet të shihet përgjigja e Serbisë.
Përgjigjja e Prishtinës ka qenë e gatshme edhe më 4 mars, është e gatshme edhe sot. Tash autoritetet në Beograd kanë kërkuar kohë shtesë për konsulta dhe do të varet nga përgjigjja e tyre se a do ta pranojnë dokumentin apo nuk do ta pranojnë, tha Thaçi.
I pyetur për deklaratat nga Uashingtoni për mundësinë e një autonomie për veriun, kreu i Qeverisë së Kosovës përsëriti se nuk do të ketë ndarje, autonomi apo status special për veriun dhe se për këtë ka mbështetje të plotë të SHBA-së.
Kosova është vend sovran, ne kemi prezentuar argumentet dhe pozicionin tonë kushtetues dhe ligjor dhe e ka mbështetjen e plotë edhe të SHBA-së, tha ai.
I pyetur për përplasjet verbale në takim, Thaçi tha se ai ka qenë në të gjitha proceset e dialogut, nga Rambujeja, Vjena dhe tani në Bruksel dhe se pala e Kosovës i ka ndryshuar realitetet.
Por i kemi ndryshuar edhe të tjerët. E kemi ndryshuar edhe Serbinë thelbësisht, tha ai.
Kryeministri Thaçi shprehu zotimin për shtrirjen e autoritetit në veri të vendit, duke thënë se Kosova do të ndërmarrë hapa për integrimin e qytetarëve të kësaj pjese. Ai tha se Prishtina e Beogradi dallojnë sepse Serbia është e interesuar për territorin e veriut, kurse Kosova për qytetarët e kësaj pjese dhe për shtrirjen e ligjshmërisë në veri. Thaçi theksoi se idetë e Serbisë për ndarje të veriut kanë përfunduar më 25 korrik të vitti 2011.
\"Do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës\", ka pohuar ai.
Sipas tij me krijimin e kushteve do të organizohen edhe zgjedhjet lokale në tri eventualisht në katër komunat veri, zgjedhje këto që do të organizohen dhe menaxhohen me ftesën e institucioneve të Republikës së Kosovës nga OSBE-ja dhe pastaj certifikimi i rezultatit zgjedhor do të bëhet nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës.